Pasditen e së enjtes ka nisur largimi i barrikadave në fshatin Rudarë, i cili gjendet në komunën e Zveçanit, raportojnë gazetarët e Radios Evropa e Lirë nga terreni.

Rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – ishin bllokuar që nga 10 dhjetori.

Se barrikadat do të largoheshin bëri të ditur të enjten presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.

Vuçiq takoi ata mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën.