Intervistoi Donika Krasniqi/ Express

Lidhja Demokratike e Kosovës ka arritur një rezultat spektakular të zgjedhjeve, derisa rënia e Vetëvendosjes në zgjedhjet e së dielës është evidente. Kështu vlerëson politologu Fisnik Halimi në një intervistë dhënë Gazetës Express. Ai flet edhe për balotazhin në Prishtinë në mes të Shpend Ahmetit dhe Arban Abrashit. Tregon se sa janë gjasat që PDK-ja ta votojë kandidatin e Vetëvendosjes. Halimi, po ashtu, sqaron faktorët që çuan në rritjen e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 11 qershorit dhe çka ia shkaktoi humbjen në zgjedhjet lokale.

Donika Krasniqi: Z. Halimi, zgjedhjet e së dielës sollën rezultate befasuese. Kë e shihni ju fitues dhe humbës të këtyre zgjedhjeve komunale?

Fisnik Halimi: Pa dyshim, fituese del të jetë Lidhja Demokratike e Kosovës. Ka pasur një rezultat spektakular në raundin e parë, posaçërisht duke marrë parasysh që ka arritur ta fitojë një komunë të madhe siç është Peja. Megjithatë, ka edhe parti të tjera të cilat kanë shënuar rezultate interesante. Po ashtu, kemi PDK-në që ka bërë rikthim votash dhe është shumë signifikative që në raport me zgjedhjet parlamentare, po qe se do të mblidheshin tani votat e Partisë Demokratike të Kosovës, të AAK-së dhe të Nismës, atëherë rezultati i zgjedhjeve parlamentare do të ishte krejt tjetër nga ai që është në realitet. Kjo thotë që mënyra se si janë bërë koalicionet në qershor ka qenë totalisht e gabuar dhe kundërproduktive.

Donika Krasniqi: Çka realisht ndikoi që Gazmend Muhaxheri ta rimarrë Pejën me këtë rezultat?

Fisnik Halimi: Në sloganin e tij thuhej “Me punë” dhe unë besoj që ishte puna dhe transparenca me të cilën ai ka punuar në Pejë, d.m.th. jo transparenca administrative, por premtimet e tij kanë qenë reale, të matshme, të realizueshme dhe shumë prej tyre i ka realizuar në njërën anë dhe në anën tjetër e ka ringjallur ëndrrën pejane për një qendër skijimi atje, gjë që do të shënonte një revolucion të vërtetë ekonomik në atë komunë.

Donika Krasniqi: Pas publikimit të rezultateve, mund të themi se u krijua një hartë e re politike nëpër komuna. E prisnit ju këtë, pasi shumëkush analizat i bënte duke u bazuar në rezultatin e zgjedhjeve nacionale?

Fisnik Halimi: Nuk ishin të gjithë fitues. Ne thamë fitues real i zgjedhjeve është LDK-ja, e që të gjithë të tjerëve u mbetet për ta dëshiruar suksesin e LDK-së. Po qe se do të ishte te pritshmëritë, as unë nuk do të kisha pritur një rikthim të atillë të LDK-së në elektorat, por duke pasur parasysh që kam pasur fatin që të kem të drejtën të bëj hulumtime të opinionit për shumicën e subjekteve, kam qenë i vetëdijshëm më herët që harta elektorale në Kosovë po ndryshon.

Donika Krasniqi: LDK-ja duket që nuk e ka pritur as vetë këtë rezultat. A mendoni se mbetja në opozitë ndikoi që të rritet LDK-ja, apo gjeneratat e reja në këtë subjekt?

Fisnik Halimi: Gjeneratat e reja në LDK kanë pasur sukses brenda një konteksti humbës. D.m.th. të gjithë deputetët e rinj të zgjedhur nga LDK-ja, të cilët iu bashkuan rishtazi LDK-së, fituan poste në një humbje të kësaj partie. Unë mendoj që marrja me seriozitet të plotë të garës, pastaj një mbetje në opozitë me një dinjitet, shumë punë dhe posaçërisht përvoja në garat lokale, përzgjedhja e duhur e kandidatëve me prapavijë të fortë politike dhe menaxheriale, bëri që LDK-ja të kalojë më mirë në këto zgjedhje sesa në ato tjerat.

Donika Krasniqi: 11 qershori e nxori Lëvizjen Vetëvendosjes më të madhen në vend, por kjo nuk u përsërit tash në zgjedhjet komunale. Ku realisht gjendet kjo parti, sipas jush?

Fisnik Halimi: Rënia është evidente, për shkak se rritja ndodhi në një kontekst të caktuar. Ne patëm thënë edhe në qershor që Vetëvendosja përjetoi një ngritje të shpejtë, të papritur në elektorat për shkak të mënyrës se si u lidhën koalicionet në nivelin qendror.

Donika Krasniqi: Pra ju mendoni që koalicionet e atëhershme ia mundësuan Vetëvendosjes rritjen në vota?

Halimi: Po, koalicionet ia mundësuan Vetëvendosjes rritjen, kurse humbjen ia shkaktoi fakti që Vetëvendosja nuk arriti të strukturohet, sidomos nëpër viset rurale në qendrat komunale rajonale, pra nuk arriti që të ndërtojë strukturë duke filluar prej Prizrenit, Pejës, Gjakovës, Gjilanit, Ferizajt e Mitrovicës nëpër viset rurale, kur nuk e kanë ndërtuar strukturë, vota nuk ka pasur si të mbetet edhe më tej e Vetëvendosjes dhe është tërhequr. Në anën tjetër, mendoj se në shumë komuna profili i kandidatëve të Vetëvendosjes nuk ka qenë i duhuri dhe nuk ka qenë konkurrent dhe realisht këta dy faktorë e kthyen Vetëvendosjen në një rezultat tjetër. Prapë kjo nuk do të thotë që po të kishim sot zgjedhje parlamentare VV-ja nuk do ta arrinte prapë atë sukses të mirë.

Donika Krasniqi: Ku e shihni pas katër vjetësh këtë subjekt politik, ose kurdo që zgjedhjet tjera të mbahen në vend?

Fisnik Halimi: E para e punës unë mendoj se zgjedhje të tjera në Kosovë do të ketë shumë më shpejt, pa u bërë 4 vjet. Besoj kështu sepse koalicionet janë me numra jashtëzakonisht të limituara dhe në momentin e parë që do të kemi një krisje, sado të vogël, dhe të tilla pritet që të ketë gjithmonë, kur kemi shumë subjekte dhe duke parë  interesimin e opozitës për ta rrëzuar sa më shpejt këtë Qeveri, atëherë kjo Qeveri mund të mbijetojë për aq sa nuk do të ketë një mësymje të opozitës për ta rrëzuar atë, ndërsa unë dyshoj që opozita është e interesuar të mbetet në opozitë për shumë kohë. Prandaj, mendoj që VV-ja duhet të mendojë seriozisht, ta analizojë seriozisht çka i solli fitoren në qershor dhe çka ia shkaktoi humbjen tash në vjeshtë për të përmirësuar rezultatet e veta.

Donika Krasniqi: Partitë politike, me rezultatin e zgjedhjeve lokale, nuk e kanë më rehatinë as në komunat që për vite me radhë janë konsideruar bastione. A është ky një reflektim i qytetarëve për t’i dënuar qeverisjet që kanë qenë për një kohë të gjatë dhe nuk kanë punuar në ato komuna?

Fisnik Halimi: Fakti që partitë politike po i humbin bastione flet për një emancipim të elektoratit kosovar, tashmë ky elektorat nuk mjaftohet të identifikohet me prejardhje gjeografike të kandidatëve, të udhëheqësve të partive, elektorati kosovar ka nevojë posaçërisht në nivelin lokal që të shohë ndryshimet e prekshme të përditshme, të cilat ndikojnë direkt  në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe para së gjithash ndershmëri. Kur them  ndershmëri, elektorati kosovar ka rritur në atë nivel të emancipimit që më të mos joshet nga gënjeshtra, ndërkohë që ne për fatin tonë të keq jemi një shoqëri e varfër dhe posaçërisht kemi komuna të varfra dhe me këto buxhete komunale që disponojmë, pa përjashtim të gjitha komunat, nuk do të arrijnë që t’i përmbushin nevojat e komunave as për 50 vite të ardhshme.

Donika Krasniqi: Si e shihni balotazhin në Prishtinë? A mendoni se do të ketë koalicione dhe a ka gjasa Arban Abrashi ta kthejë qeverisjen e LDK-së në kryeqytet?

Fisnik Halimi: Besoj që lëvizjet e dy kandidatëve që kanë shkuar në balotazh, do të jenë të atilla që nuk do të pranojnë zyrtarisht koalicionet në mënyrë që të mos lëndojnë realisht trupin e tyre elektoral. S’do mend që as LDK-së dhe as Vetëvendosjes nuk do t’i konvenonte dora e shtrirë publikisht e PDK-së, për shkak të diskursit anti-PDK që e kanë zhvilluar tashmë sa kohë. Për këtë arsye ne do të presim, do të ketë koalicione padyshim. Koalicionet besoj që do të jenë të fshehura, nuk do të jenë të zbuluara, posaçërisht me PDK-në të gjithë do të mësyjnë te votat e AKR-së, të cilat ishin vota të rëndësishme për raundin e dytë. Por duhet shtuar edhe diçka, në realitet koalicionet në nivelin komunal janë vështirë të funksionojnë, sepse është vështirë të kontrollohen të gjitha ato vota e posaçërisht nga një parti si AKR-ja, e cila e ka një strukturë të brishtë. Realisht mendoj që kushdo që do ta fitojë garën në mes të Ahmetit dhe Abrashit, do të fitojë në atë mënyrë duke e marrë simpatinë e elektoratit në formë të drejtpërdrejtë, pra pa ndërmjetësim të partive të treta. Teorikisht gjithçka është e mundur, në këtë na lejon të besojmë matematika, këta dy kandidatë së bashku kanë marrë rreth 75 për qind të votave, 25 për qind të votave janë të lira, duhet parë se te kush do të shkojnë ato vota. Duhet cekur se diferenca është rreth 7 mijë vota në favor të Ahmetit dhe nga kjo pikënisje ai duhet të shihet favorit. Në të njëjtën kohë ai e pati fituar këtë garë duke u nisur pikërisht prej pozitave të kundërta, duke qenë i dyti me një diferencë votash të ngjashme. Atëherë u tha që e mori prej PDK-së, ne nuk e dimë pasi PDK-ja thotë që po, e VV-ja asnjëherë nuk e ka pranuar. Ajo do të mbetet e fshehtë. Gjasat që PDK-ja ta përkrahë tash Ahmetin, janë minimale.

Veritas.com.al/