(FOTO: Drilona Hoxhaj, zëdhënëse e KQZ)/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar se procesi zgjedhor po shkon drejt kolapsit, pasi drejtuesit e administratës publike nuk po lejojnë komisionerët të bëjnë punën e tyre. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e KQZ Drilona Hoxhaj, u bëri apel drejtuesve të Administratës Publike të lejojnë komisionerët që të bëjnë punën e tyre.
Deklarata e KQZ:
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ngre shqetësimin për pengesat që i po i shkaktohen komisionerëve zgjedhorë, të cilët janë në marrëdhënie pune. Ashtu si në Kodin Zgjedhor edhe në VKM nr. 473 të datës 1.06.2017, angazhimin si komisionerë të KZAZ-ve, KQV-ve apo GNV-ve, nuk e konsideron angazhim për qëllime politike apo elektorale, por e konsideron vetëm si një angazhim administrativ. Pranë KQZ-së kanë ardhur shqetësime lidhur me vonesat në dhënien e lejeve për nëpunësit e emëruar si komisionerë zgjedhorë, me vendim të KQZ-së, të cilët kanë depozituar kërkesa pranë burimeve njerëzore të institucioneve ku ata punojnë dhe nuk po marrin përgjigje.
Vonesa e këtyre përgjigjeve, mos dhënia e lejeve për të ushtruar funksionin e komisionerit zgjedhor po pengon administrimin e procesit zgjedhor, pasi komisionerët nuk mund të kryejnë detyrat e tyre të ngarkuara nga Kodi Zgjedhor. Mosrespektimi i qoftë dhe një afati ligjor, ndikon negativisht në të gjithë veprimtarinë e administratës zgjedhore në funksion të organizimit dhe administrimit të zgjedhjeve. Pa komisionerë nuk mund të ketë zgjedhje, ndaj drejtuesit e administratës shtetërorë duhet të jenë përgjegjshëm dhe të mos bëhen pengesë. Nëse kjo situatë problematike e krijuar vetëm për 720 komisionerët e KZAZ-ve, vijon edhe për rreth 37 mijë komisionerët e KQV-ve dhe GNV-ve, procesi zgjedhor rrezikon të futet në kolaps. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ju bën thirrje të gjithë drejtuesve të administratës publike, që të reagojnë menjëherë pas këtij apeli të KQZ-së, dhe të mos krijojnë pengesa artificiale të cilat cënojnë procesin zgjedhor’.