Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka përjashtuar Komisionin e Rithemelimit të Sali Berishës nga zgjedhjet e 6 marsit. Në shyrtimin e e kërkesës së Lëvizjes Socialiste për Integrim për tu regjistruar në koalicion me Partinë Demokristiane të Nard Ndokës dhe lëvizjen e Sali Berishës, Celibashi tha se simbolet e PD nuk mund të pranohen në këtë koalicion sepse cenohet interesi i një force tjetër politike. Në fund ai e regjistroi koalicionin ‘Shtëpia e Lirisë’ vetëm me LSI dhe Nard Ndokën.
PD kundërshtoi e para regjistirmin e koalicionit. Përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Marash Logu, tha se kjo kërkesë nuk duhet pranuar për disa arsye.
“Neni 65 kërkon që pjesë e koalicioneve të jenë partitë politike të regjistruara. Kërkesa e LSI është depozituar në datën 31 janar, në një kohë kur vetë LSI nuk e kishte fituar cilësinë e subjektit zgjedhor. Edhe PDK është regjistruar si subjekt pasi kishte paraqitur kërkesën për regjistrim në koalicion. Do ishim sot në shkelje të ligjit nëse do të procedonim në këtë kërkesë. Partitë janë regjistruar me 2 shkurt. Dje ka qenë afati për regjistrim koalicioni dhe nuk ka pasur asnjë kërkesë për regjistrim koalicioni. Kjo kërkesë duhet rrëzuar dhe nuk duhet pranuar. Një element tjetër është fakti se nga leximi që i bëjmë kërkesës por edhe vetë marrëveshjes brenda është ‘PD, Komisioni i Rithemelimit’. Në faqen e dytë thuhet se partitë përbvërëse të koalicionit janë ‘LSI, PD Komisioni i Rithemelimit dhe PDK. Gjithashtu thuhet se drejtuese e koalicionin është Partia Demokratike e Shqipërisë Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit. Kush autorizoi që në emër të PD të bëhej kjo marrëveshja. Nuk ka një subjekt zgjedhor tjetër me emrin ‘PD Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit”, tha ai.
Përfaqësuesi i LSI thotë se “Janë listuar të gjitha elementet e nevojshme që ligjvënësi kërkon për një koalicion, shkronja nistore, sigla dhe bashkëngjitur marrëveshja e përfaqësuesve te koalicionit”
Ai foli më shumë politikisht duke thënë me PD-në nuk kërkonte askush që të bënte koalicion, duke i kujtuar edhe Kuvendin e 18 dhjetorit me numrin e delegatëve.
“Ligji duhet lexuar sic thotë ligji, jo sic do një parti. Nuk lexohet si 1900 karrike për 5004 të tilla”, tha Altin Kaziaj.
Ndërsa Logu iu përgjigj me të njëjtat argumente duke shtruar pyetjen: “Çfarë do kishte ndodhur nëse Komisioneri vendoste të mos e regjistronte si subjekt zgjedhor LSI dhe PDK? Do kishim një kërkesë absurde për koalicion. Kjo është arsyeja pse respektohen afatet”.
“Në marrëveshje ka referencë ndaj Partisë Demokratike të Shqipërisë, PD as nëpërmjet kryetarit as nëpërmjet përfaqësuesve të saj nuk ka shprehur nuk do të shprehë vullnetin për të qenë pjesë e një koalicioni. Kjo kërkese i duhet kthyer LSI dhe brenda 24 orëve sillni një marrëveshje që respekton faktin që PD është subjekt zgjedhor më vete që nuk kërkon të jetë pjesë e ndonjë subjekti zgjedhor”, tha ai.
Kaziaj ripërsëriti qëndrimin e tij se gjithçka që kërkon ligji është respektuar. “Po e bëni debatin duke u kapur tek sigla të një subjekti që ne kemi futur në një marrëdhënie koalicioni,. Duhet të prisni regjisrimin e siglave dhe në atë moment mund të flisni”, tha ai.
(Lajm në përditësim…)