KQZ ka zbardhur projekt vendimin për votën e emigrantëve, ku theksohet se çdo shtetas shqiptar që ndodhet jashtë vendit në datën e zgjedhjeve dhe dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës, duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit, në përputhje me rregullat e përcaktuara.

Personi që do të votojë nga jashtë duhet të paraqesë një kërkesë për regjistrim. Afati për paraqitjen e kërkesës fillon 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 68 ditë para kësaj date. Kërkesa kryhet përmes PER, Platforma Elektronike e Regjistrimit dhe është e aksesueshme pa pagesë.

Për të bërë kërkesën, zgjedhësi duhet të hapë një llogari në këtë platformë. Më pas, për t’u regjistruar duhet të skanojë dokumentin e identifikimit të lëshuar nga republika e Shqipërisë. Pasi verifikohen të dhënat nëse janë të sakta, zgjedhësi do të njoftohet për kërkesën e tij brenda 5 ditëve.

Lista paraprake e zgjedhësve nga jashtë duhet të publikohet nga PQZ 63 ditë para datës së zgjedhjeve, me qëllim që zgjedhësit brenda 48 orësh nga publikimi i saj mund të kërkojnë regjistrimin apo rregullimin e pasaktësive të regjistrimit të tyre në PER.

KQZ, 60 ditë para datës së zgjedhjeve, miraton dhe publikon në faqen zyrtare të internetit të KQZ listën përfundimtare të zgjedhësve që votojnë jashtë vendit.