
Këshilltari kryesor i Kremlinit, Yury Ushakov tha se është arritur një marrëveshje që Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të takohet me homologun e tij rus, Vladimir Putin, “në ditët në vijim”, duke shtuar se palët tashmë po punojnë për përgatitjet.
Është “e vështirë të thuhet” se sa kohë do të zgjasin këto përgatitje, vijoi Ushakov, por synimi është që takimi të zhvillohet javën e ardhshme, sipas asaj që raporton media shtetërore ruse, RIA Novosti.
Të mërkurën, Trump deklaroi se ekziston një “mundësi e mirë” që të dy liderët të takohen “shumë shpejt” për të diskutuar një përfundim të mundshëm të luftës në Ukrainë.
Ushakov nuk e konfirmoi se ku do të mbahet takimi, por tha se vendndodhja është rënë dakord tashmë dhe do të “njoftohet më vonë.
Ai shtoi gjithashtu se Moska ende nuk ka dhënë përgjigje për një propozim të paraqitur një ditë më parë nga i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, për bisedime trepalëshe mes Putinit, Trumpit dhe Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Komente