Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Atalintike, Jens Stoltenberg teksa ka mikpritur sot në selinë e NATO-s në Bruksel, kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiç , ka folur për sigurinë e rajonit të Ballkanit.
Kreu i NATO-s ka thënë në konfrencën për shtyp se situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor është ende shumë e brishtë, dhe ka potencial për tensione në Kosovë dhe Bosnje – Hercegovinë.
Më tej ai ka theksuar se për këtë gjendje të Ballkanit, NATO-ja është e gatshme të kryejë mandatin e saj në Kosovë për të garantuar stabilitet, ashtu sikurse në Bosnje e Hercegovinë.
‘Kryeministër, unë mirëpres angazhimin tuaj të fortë për reformat dhe rrugën e Malit të Zi drejt integrimit të plotë euroatlantik. Kjo është edhe më e rëndësishme pasi stabiliteti në rajonin më të gjerë mbetet i brishtë. Shpërthimet e dhunës së vitit të kaluar në Kosovë ishin të papranueshme.
Dhe NATO u përgjigj me shpejtësi, duke dislokuar 1000 trupa shtesë dhe forca të blinduara të rënda. Ne jemi të përkushtuar të sigurojmë që KFOR-i të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij të OKB-së. Ne folëm edhe për situatën në Bosnje-Hercegovinë.”, ka deklaruar kreu i NATO-s gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajić, sipas komunikatës të shpërndarë nga Alenaca Atlantike.
Ai ka paralajmëruar se javën që vjen, Këshilli i Atlantikut të Veriut, trupi më i lartë politik i Aleancës, do të vizitojë Bosnje – Hercegovinën, për të dëshmuar në këtë mënyrë edhe mbështetjen e parezervë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës.
‘Këshilli i Atlantikut të Veriut – të 31 Ambasadorët e NATO-s – do të vizitojë Sarajevën javën e ardhshme.Një demonstrim i mbështetjes së fortë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës. Të gjithë liderët politikë duhet të punojnë për të ruajtur unitetin.
Kjo është thelbësore për stabilitetin e vendit dhe rajonit.’, tha Stoltenberg.
Stoltenberg gjithashtu ka falënderuar Malin e Zi për kontributin në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, por edhe për rolin konstruktiv për paqe dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit.
‘Mali i Zi është një aleat shumë i vlerësuar i NATO-s. Ju keni dislokuar trupa në grupet tona luftarake në Bullgari dhe Letoni, duke ndihmuar në frenimin e agresionit rus.
Në Irak, Mali i Zi po kontribuon në ndërtimin e forcave më efektive dhe gjithëpërfshirëse të sigurisë, si pjesë e misionit të trajnimit të NATO-s.Mali i Zi gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor’, theksoi shefi i NATO-s.
Kryeministri i Malit të Zi, Spajiç, ka thënë se për vendin e tij, stabiliteti në Kosovë ka rëndësi të veçantë dhe në rast nevoje Mali i Zi është i gatshëm për të rritur praninë e ushtarëve të saj në misionin e KFOR-it.
Shefi i aleancës më tej ka thënë se NATO-ja ka bashkëpunim të ngushtë me BE-në, kur janë në pyetje vendet e Ballkanit Perëndimor,
Ai e ka nënvizuar sidomos rëndësinë e mbështetjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, që zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Ju rikujtojmë se pas sulmeve të armatosura kundër Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, në 24 shtator të 2023, ku është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, NATO-ja ka përforcuar misionin e saj KFOR-in në Kosovë, dhe tani numëron 4.500 pjesëtarë