Teksa ka raportuar para deputetëve të Komisionit të Ligjeve dhe të Sigurisë Kombëtare, kreu i SPAK, Altin Dumani, e ka quajtur ulëritëse lidhjen e drejtuesve të lartë të policisë së Shtetin me krimin e organizuar.
“Janë proceduar nga ne rreth 70 punonjës policie. Na ka rezultuar se drejtues të lartë të policisë janë të lidhur me krimin. Është ulëritëse kur bën pjesë dhe bashkëpunon me krimin e organizuar.
Shembujt janë publikë. Ish-drejtori i forcës operacionale, disa shefa komisariatesh dhe unë nuk mund të qëndroj pa e adresuar këtë shqetësim. Por që ne kemi një bashkëpunim me policinë, ne bashkëpunojmë çdo ditë dhe në një pjesë të atyre hetimeve të mira ka një rol shumë sasior edhe prokuroria e posaçme dhe ky është një fakt”, tha Dumani.
Ndërkohë, sa i përket presioneve politike, ai tha se është i “shurdhër” në këtë drejtim. “Sa i përket presionit politik, ne kemi marrëdhënie institucionale dhe proceduriale me të gjithë ish-funksionarët funksionarët e shtetit. Ne jemi të shurdhër nga çdo lloj retorike politike”, tha Dumani.