Familjet do të paguajnë çmimin e energjisë elektrike me 42 lekë pa TVSH për çdo kilovat mbi 800 KWH që shpenzojnë. Ky është vendimi i qeverisë për të përballuar krizën energjetike. Familjet do të paguajnë rreth 4.4 herë më shtrenjtë, pra do të paguajnë me çmimin e tregut. Ndërsa familjet që nuk e kalojnë fashën 800, çmimi nuk ndryshon dhe do të vijojnë ta paguajnë energjinë elektrike me 9.5 lekë. Çmimi i ri do të aplikohet nga data 1 tetor dhe nuk prek bizneset, të cilët do të vazhdojnë ta paguajnë energjinë si tani.
Teksa prezantonte paketën anti-krizë dhe pagesën me 2 fasha që ishte paralajmëruar prej muajsh, kryeministri Edi Rama sqaroi se janë mbi 90% konsumatorë familjarë që konsumojnë më pak se 800 KWH. Rama sqaroi buxheti i shtetit dhe taksapaguesit nuk mund të paguajnë më për familjarët që kanë vila me pishina, oborr të madh dhe ndriçim dekorativ. Duke theksuar se kjo masë merret për të kursyer energji në kushtet e krizës globale, Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku tha se nga ky vendim preken vetëm 4% e familjeve shqiptare.
Çmimi 42 lekë për kilovat do të jetë në fuqi deri më 31 dhjetor, ndërsa në janar të 2023-shit pritet të caktohet një çmim i ri për fashën mbi 800 kilovat/orë në varësi të luhatjeve në bursë. Zv.kryeministrja sqaroi se duke vendosur këtë fashë për familjet që konsumojnë shumë, qeveria do të kursejë 100 milionë euro deri në dhjetor 2023, ndërsa pritet të ulet me 2% konsumin e energjisë. Ndër të tjera, Balluku theksoi se kursimi 1% do të ndikojë në kursimin e 28 milionë eurove.
Një tjetër projekt i qeverise për 2 mijë familje është instalimi i paneleve diellore në pallate në mënyrë që të përdorin për ngrohje uji. Qeveria do t’i mbulojë 70% të kostos nëse ato vendosin të blejnë panele diellore. Sipas ministres, kjo sjell ulje të konsumit energjetik me 20-30%. Në 1 tetor do të nisë gara për ofruesit e impianteve diellore ndërsa nga 1 nëntori do të nisë aplikimi i qytetarëve në portalin elektronik. Përmes këtij plani, qeveria garaton se dimri do të kalojë pa ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa nga kjo javë në terren del Task-Forca për lidhjet e paligjshme.
Pa një plan konkret masash për administratën, qeveria bëri publik vetëm objektivin për të ulur me 15% konsumit mujor të energjisë, me parashikimin për të kursyer 28 milionë euro në vit. Nga 14 shtatori do të nisë fushatë ndërgjegjësimi për kursimin e energjisë nëpër shkolla.