-Ministri Cakaj thotë se në qershor do të kemi hapjen e negociatave me BE-
Ndërmjetësimi për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri nuk është në axhendën e BE, ashtu sikurse dhe atë të SHBA-së. Shefja e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini do të jetë në datat 8 dhe 9 në Tiranë, por jo për t’u angazhuar në negociata me krerët e 2 kampeve politike, pavarësisht se ka planifikuar takime me ta. Ajo do jetë pjesë e samitit të Brdo-Brijuni, organizuar nga Presidenti Meta. Ambasadori i BE e konfirmon qëndrimin e Brukselit se palët në vend duhet ta gjejnë vetë një zgjidhje.
“Ndërmjetësimi nuk është në axhendën tonë për momentin. I takon partive politike të maxhorancës dhe opozitës të gjejnë urat që ekzistojnë për të tejkaluar këtë ngërç, në mënyrë që të përfitojnë qytetarët shqiptarë, të cilët ata përfaqësojnë”, tha Luiggi Soreca, i dërguar i BE në Tiranë.
Mogherini do të marrë pjesë dhe në takime që do të organizohen për javën e Europës, e cila nisi zyrtarisht këtë të hënë me ceremoninë e inaugurimit të ambienteve të reja të Komisionit në Tiranë, ku ishte i pranishëm dhe Ministri në detyrë, Genti Cakaj. Kreu në detyrë i diplomacisë është optimist se në Qershor do të kemi çelje të negociatave, pasi sipas tij, qeveria ka përmbushur të gjithë detyrimet që ju vendosën një vit më parë nga Këshilli Europian.
“Këtë muaj presim marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave. Raporti i Komisionit presim që të jetë dëshmi e shndërrimit pozitiv që vendi ynë ka bërë në rrugën e pakthyeshme të integrimit Europian. Procesi i integrimit të vendit në BE është edhe më gjerë se kaq. Hapja e negociatave për anëtarësimin, që pritet të bëhet në Qershor do jetë një mundësi shtesë që ta bëjmë vendin institucionalisht më funksional”.
KE prezantoi dhe përfundimet e sondazhit për perceptimin publik që shqiptarët kanë për BE, nga ku rezulton se 92 % e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin e vendet në këtë union. 44 % e të pyeturve thonë se kushti më i rëndësishëm që duhet të përmbushë vendi që të anëtarësohet është lufta ndaj korrupsionit. Shqiptarët besojnë se BE duhet të rrisë mbështetjen e tij për sistemin e drejtësisë, reformat ekonomike dhe sistemin shëndetësor.
Veritas.com.al/