Të dielën, 11 shtator, 3,8 milion votues kroatë morën pjesë në zgjedhjet e parakohëshme legjislative. Vetëm pesë muaj qeverisi partia HDZ (Bashkimi demokratik kroat, e djathta nacionaliste) dhe Most-i (“Ura”, qendër e djathtë). Qeveria ra në qershor, e përfshirë në një skandal politiko-financiar ku u lakua emri i gruas së ish kryetarit të HDZ-së, Tomislav Karamarko.

Këto pesë muaj u shoqëruan me polemika të shumta mbi ekstremizmin nacionalist, madje revizionist, të pushtetit. Shoqata të gazetarëve, rrethe kulturore dhe organizata të mbrojtjes së minoriteteve denonconin konkretisht emërimet politike, presionet mbi veprimtarinë e tyre dhe uljet e verbëra të buxheteve. Qëkurse ra, i superfshehti Karamarko, ish spiun dhe pnën kryeministër në qeverinë e mëparshme, është zhdukur krejtësisht nga pejsazhi politik. Vendin e tij në krye të HDZ-së e zuri një deputet evropian, Andrej Plenkovic.

 

Dy ish diplomatë ballë për ballë

“Ne kemi ambicien ta bëjmë HDZ-në një parti politike klasike të moderuar të qendrës së djathtë”, shpjegon për gazetën franceze Le Monde ky ish-diplomat. Nëse refuzon të dënojë shkeljet flagrante të paraardhësit të tij, ai bën gjithçka që të harrohen. “Unë jam zgjedhur për të ardhmen, jo për të shkuarën”, siguron ai. Profili i tij konfirmon faktin se  ultranacionalizmi nuk bën më punë për të fituar zgjedhjet në Kroaci. Persona të shumtë të akuzuar janë fshirë nga listat e HDZ-së, edhe pse ministri aktual i kulturës, historian me prirje revizioniste Zlatko Hasanbegovic, do të zgjidhet në Sabor, në Parlamentin kroat.

Përballë tij paraqitet një tjetër ish diplomat, social-demokrati Zoran Milanovic, i cili ka qenë tashmë kryeministër midis 2011 dhe 2015. Ai i ka bërë llogaritë të përfitojë nga dështimi i qeverisë paraardhëse dhe nga rikthimi i rritjes ekonomike që nga 2015 – për të cilën ai ia atribuon vetes meritat – për t’u mbushur mendjen zgjedhësve. Ndërsa e djathta është riqendërzuar, ai shkoi t’i gjente aleatët te zgjedhësit nacionalistë. Në një bashkëbisedim të regjistruar pa dijeninë e tij me ish luftëtarë, z. Milanovic e ka zënë keq me Serbinë dhe Bosnie-Herzégovine, duke nxitur zemëratën e vendeve fqinjë, në një kontekst ku tensionet diplomatike janë tashmë të gjalla në Ballkan. “Duhen bindur abstensionistët”, justifikohet kandidati.

Sondazhet u japin secilit prej dy kandidatëve rreth gjashtëdhjetë vende, me një fitore të lehtë për Milanovic. Meqë mazhoranca e Sabor-it është vetëm me 76 deputetë, do t’i duhet të mbështetet te partitë e vogla për të formuar një qeveri të re. Edhe pse përfitoi nga dështimi i qeverisë paraardhëse, partisë “Most” i duhet të ruajë pozicionimin si partia e tretë dhe me gjasa të mbështesë HDZ. Nga ana e saj, e majta duhet t’i bëjë llogaritë me përfaqësuesit e minoriteteve.

Koalicioni i shoqatave anti-banka dhe anti-përjashtimeve duhet t’i përshtatet programit  euroskeptik “as me të djathtën, as me të majtën”. Ai premton konkretisht t’i lehtësojë dhjetëra mijëra kroatë nga taksat, problem madhor në një vend ku rreth një në dhjetë banor e ka të sekuestruar nga autoritetet llogarinë e vet bankare. Megjithëse Kroacia njohu një sezon turistik rekord këtë verë, papunësia mbetet shumë e lartë (13 %) dhe shumica e kroatëve nuk i kanë ndjerë benefitet e pranimit në BE në 2013.