Kryeministri Edi Rama iu drejtua popullit shqiptar me anë të një videoje të postuar në rrjetet sociale, duke shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave dhe duke kërkuar kurajë, durim, solidaritet dhe sa më shumë qetësi.

“Marr pjesë në dhimbjen e thellë të familjeve që lotojnë për të humburit e tyre nën rrënojat e tërmetit shkatërrimtar të natës së kaluar. Rasti e deshi që pas lëkundjeve të forta të gjendesha pranë familjarëve përballë një prej rrënojave në Durrës, ku forcat e ndërhyrjes nxorën një nga viktimat e para dhe nuk do ta harroj kurrë përjetimin e dhimbjes së vëllait për të motrën. Do të bëjmë deri në fund gjithçka për të shpëtuar çdo fatkeq që ende merr frymë nën rrënoja. Forcat e ndërhyrjes janë angazhuar që të gjitha që në momentin e parë dhe kanë nxjerrë deri tani nga rrënojat 41 të mbijetuar”, u shpreh Rama.

“Kjo fatkeqësi kërkon një kurajo të jashtëzakonshme, durim, solidaritet dhe sa më shumë qetësi. E di se është më lehtë të thuhet sesa të gjendet qetësia, por së bashku do ta përballojmë edhe këtë pabesi të madhe të natyrës. Plaga e sotme e madhe do të na bëjë më të fortë nesër”, shtoi kryeministri.

VERITAS.COM.AL/