Kryeministri Edi Rama jep lajmin e mirë se 11-vjeçari Alvin Berisha po kthehet tek babai i tij në Romë. Në një postim në rrjetet sociale, Rama thotë se nxjerrja e Alvinit nga kampi i Al Holit në Siri u bë falë bashkëpunimit të një skuadre speciale të Policisë Shqiptare me partnerët italianë.

11-vjeçari u shoqërua drejt ambasadës italiane në Beirut nga vetë Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. Aty ai do të pajiset me dokumentet e nevojshme për të udhëtuar më pas drejt Italisë.

“Pas një jave në kufirin sirian, së bashku me një skuadër speciale të policisë sonë dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët italianë, ministri ynë i brendshëm po përcjell në këtë moment Alvinin në ambasadën italiane në Beirut, prej ku vogëlushi shqiptar do të pajiset me dokumentat e nevojshme e do të fluturojë drejt babait në Romë“.

Kryeministri falenderon në mënyrë të veçantë homologun e tij italian Giuseppe Conte, si dhe dy organizatat humanitare që u bënë pjesë e operacionit për të shpëtuar 11-vjeçarin.

“Një falenderim i veçantë për kryeministrin Giuseppe Conte, i cili u angazhua personalisht në ndjekjen e operacionit për palën italiane. Faleminderit edhe dy organizatave humanitare që u bënë pjesë jetike e këtij operacioni tejet kompleks e të rrezikshëm, pa harruar konsullin e nderit të Shqipërisë në Liban, që luajti një rol të pazëvendësueshëm”.

Në fund Kryeministri thekson se përpjekja e autoriteteve shqiptare nuk mbyllet këtu, “sepse fëmijë e gra nga Shqipëria vazhdojnë të jenë peng në kampin-burg prej ku arritëm të nxjerrim Alvinin…“

Veritas.com.al/