“Ne jemi në anën e duhur të historisë, ndërsa fatkeqësisht, edhe njëherë tjetër, Ilir Meta është në anën e gabuar të historisë”.

Me këtë fjali, Kryeministri Edi Rama i është kundërpërgjigjur Presidentit Ilir Meta për përplasjen më të fundit mes mazhorancës socialiste dhe Presidencës.

Duke folur për gazetarët, kreu i qeverisë shqiptare ripërsëriti qëndrimin që mbajti në Kuvend një ditë më parë, kur thotë se mazhoranca socialiste nuk do të përfshihet në këtë konflikt të ri.

Sipas tij, e gjithë vëmendja duhet përqendruar në luftën kundër krimit të organizuar dhe atyre prokurorëve e gjykatësve që nuk kanë kaluar ende Vettingun dhe shfrytëzojnë këtë periudhë për të bashkëpunuar me grupe kriminale. Në këtë aspekt, Rama u shpreh se do të jetë ligji special kundër asaj që ai e quan “KÇK”, një paketë ligjore që do të prezantohet në Parlament më 25 Nëntor.

“Ky është një konflikt i radhës i shkaktuar nga i njëjti burim konflikti për të njëjtat arsye që dihen, por nuk mendoj që ne duhet të përfshihemi më tej në këtë konflikt dhe nuk  mendoj që është konflikt që mund të zgjidhet me beteja dhe polemika në fushën e komunikimit, pasi njerëzit duan të tjera gjëra. Nga data 25 Nëntor do të prezantoj platformë kundër KÇK-së, që do të jetë një paketë e tërë ligjore mbi bazën e një ligji special kundër krimit të organizuar”, u shpreh Kryeministri Rama.

Këto komente, Kryeministri Edi Rama i bëri pasi votoi në zgjedhjet e brendshme që po mbahen brenda PS-së, për të zgjedhur delegatët e partisë.

Veritas.com.al/