Kryeministri Edi Rama, në një takim me tatimpaguesit më të mëdhenj në vend, deklaroi sot se duhen masa kundër grabitqarëve e parazitëve në administratë dhe për formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë.

“Nëse cënohet sipërmarrësi, fjala duhet të shkojë në majën e piramidës shtetërore dhe në zyrën e kryeministrit. Mos i pranoni ata që vijnë me bluxhinse në derë për të kontrolluar kompanitë më të mëdha të Shqipërisë. Nuk kërkohet llogari me pantallona të shkurtra. Refuzoni dhe lajmëroni që këta persona u refuzuan. Detyroheni ju që të shpëtoni nga letrat që lënë njerëz me shapka. Nuk duhet të lejojmë që kjo lloj figure që përfaqëson shtetin të bëjë ligjin në oborret e kompanive tuaja”, tha Rama.

Kryeministri shtoi: “Pjesa më e madhe e administratës do që të punojë e të jetë në rregull me ligjin, por nuk të lënë këta që helmojnë gjithë klimën. Brenda javës së ardhshme do të publikojmë platformën “online” të bashkëqeverisjes, që do të ketë rubrikë të veçantë për biznesin, që të ketë linjë direkte për çdo lloj cënimi dhe sjellje të padenjë të kujtdo që i shkon në derë bizneseve. T’u vëmë bashkë një kufi të gjithë atyre që marrin rroga nga buxheti dhe të pastrojmë llumin e korrupsionit që është kthyer në zullum të madh në kanalet e komunikimit të sipërmarrjes me shtetin”.

Veritas.com.al/