Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mëngjesin e 23 nëntorit, ka pushuar çështjen e gjyqtarit Ardian Dvorani, i cili është paditur penalisht për shpërdorim detyre nga presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Kështu GJKKO-ja pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të pushuar kallëzimin për çështjen penale “Dvorani” të vitit 2020 – asokohe me funksion kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Fill pas mbarimit të seancës para mediave, gjyqtari Ardian Dvorani deklaroi se nuk ka përplasje me asnjë institucion dhe ka respektuar vendimin e marrë nga Gjykata.

“Unë s’kam përplasje me asnjë institucion, thjesht ushtroj detyrën. Të jesh gjyqtar është përtej realitetit të kem përplasje me institucione. Unë zbatoj vetëm ligjin, nuk kam përplasje me askënd”.

Sa i përket padisë së Presidentit, Dvorani para kamerave deklaroi se, “është e drejta e Metës që të ketë interpretimin e tij, nuk jam askush ta paragjykoj. Janë institucionet ato që vendosin. Koha e gjyqeve popullore i përket një epoke të kaluar. Çështjet nuk bëhen nëpër media, përtej gjithë respektit, por vendosen në gjykatë”, e përmbylli fjalën Dvorani.

Ndërsa, për këshilltarin ligjor të presidentit Meta, Bledar Dervishaj, vendimi i GJKKO-së është “i padrejtë”.

“Deri më tani, Presidenti i Republikës ka respektuar sekretin e Prokurorisë. GJKKO vendosi pushimin, por ne kërkuam mosakordim”, tha ai para gazetarëve.

 

KLGJ vendosi shkarkimin nga detyra, reagon Ardian Dvorani - Abc News

Dervishaj bëri me dije se do ta ankimojë vendimin, duke ndjekur të gjitha hapat që ia lejon ligji.

“Do ta ankimojmë vendimin. Është pushuar vendimi për çështjen penale të vitit 2020, ku ishin shumë të pandehur”.

Ndërkohë pritet zbardhja e vendimit të GJKKO-së.

Çfarë ka ndodhur?

Të hënën e 22 nëntorit, SPAK kërkoi pushimin e çështjes për gjyqtarin Ardian Dvorani në lidhje me padinë që presidenti Meta bëri kundrejt tij në vitin 2020.

Aktualisht Dvorani mban postin e gjyqtarit pranë Gjykatës së Apelit Administrativ të Tiranës.

Më 18 shkurt të vitit 2020, Presidenti i Republikës depozitoi në SPAK padinë për Dvoranin.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.