Në një intervistë për portalin amerikan “Politico”, kryeministri  shqiptar tha se ‘nuk do ta përjashtoj’ mundësinë e një bashkimi të  Shqipërisë me Kosovën.

Për Kryeministrin Edi Rama, një bashkim i Shqipërisë me Kosovën është një projekt i mundshëm në rast se Bashkimi Europian do t’i zbehë këtyre vendeve shpresën për t’u bërë pjesë e unionit.

Kryeministri Rama u shpreh: “Unë nuk e përjashtoj këtë mundësi, pasi e vetmja mënyrë që ta mbash Ballkanin në këtë situatë paqësore dhe bashkëpunuese është duke i mbajtur rrugën drejt anëtarësimit në BE të hapur, t’i japësh një perspektivë të qartë si dhe t’i japësh një ndjenjë pozitive rreth unionit. Askush nuk do të donte bashkime të vogla, të gjithë duan të jenë pjesë e bashkimit të madh. Por, nëse nuk ka shpresë, nuk ka perspektivë dhe nuk ka hapësirë, atëherë, sigurisht që bashkimet e vogla mund të ndodhin.”

Kryeministri  tha se BE-ja ka një mungesë vizioni për Ballkanin, i cili rrezikon që të destabilizojë jo vetëm rajonin tonë, por të gjithë Europën.