Mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste që u thërrit sot në mëngjes, sapo ka përfunduar. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka dhënë porositë e fundit për fushatën për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, e cila po shkon drejt fundit.

Mësohet se Rama ka kërkuar angazhim maksimal nga strukturat e partisë deri në ditën e fundit të fushatës. Ai ka kërkuar gjithashtu që të faktohet çdo lloj incident i mundshëm që do të shënohet gjatë kësaj periudhe.

Kryesia e PS ka marrë vendimin që mitingu përmbyllës i kësaj fushate të zhvillohet të premten, më 28 qershor, në qytetin e Vlorës.

Fushata elektorale e 30 qershorit po zhvillohet përmes protestave të opozitës së dalë nga Kuvendi, njoftimeve të presidentit të Republikës për ‘pezullim’ të zgjedhjeve, vendosmërisë së maxhorancës parlamentare për zbatimin e Kushtetutës dhe afatit të ushtrimit të pushtetit lokal.

Institucionet demokratike të aleatëve perëndimorë, gjithashtu, kanë përqendruar vëmendjen mbi zgjedhjet e 30 qershorit. OSBE/ODIHR kanë nisur punën prej kohe së bashku me organizmat lokalë për monitorimin e zgjedhjeve.

VERITAS.COM.AL/