Sot është testuar Aeroporti i Ri Ndërkombëtar i Kukësit ku një avion ka bërë provat për pistën e re. E pranishme ka qenë edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Ajo sqaroi se avioni nuk do të ulej në pistë, por do të fluturonte shumë pranë tokës, procedurë kjo në kuadër të testimeve.
Ministrja tha se kjo provë kaloi me sukses, e ndërsa shtoi se po punohet paralelisht në disa fronte për të hapur së shpejti portat e aeroportit të ri.
“Deri në ditën e dorëzimit të certifikimit të këtij aeroporti do të përmbushen të gjitha kushtet e nevojshme për një aeroport ndërkombëtar, që do të jetë aeroporti i dytë në territorin e Shqipërisë. Pas pak ditësh do të kemi edhe rezultatet nga gara e aeroportit të Vlorës dhe do t’i jepet start negocimit të kontratës, duke nisur kështu edhe procedurën për aeroportin e tretë”, tha zonja Balluku.