17 shtatori është data që është caktuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit, për ankimimin e bërë nga SPAK për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, për tragjedinë e Gërdecit. Shkalla e Parë vendosi në korrik 2021 që të mos riniste hetimet për Mediu, me arsyetimin se vepra penale ishte parashkruar.

Mësohet se Prokuroria Speciale, ashtu siç u paralajmërua dy muaj më parë, nuk ishte dakord me vendimin për Fatmir Mediun sepse pretendon se ka prova të reja që mund të çojnë në nisjen e hetimeve ndaj ish-ministrit në qeverinë Berisha. Ankimimi është bërë në Gjykatën e Apelit dhe më 17 shtator ora 10.00 do të mbahet seanca e parë.

Si gjyqtare për këtë çështje është caktuar gjyqtarja e posaçme Saida Dollani.

Dy muaj më parë, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për rifillimin e hetimeve për Fatmir Mediun, lidhur me tragjedinë e Gërdecit që shkaktoi 26 të vdekur e qindra të plagosur. Kjo ka bërë që SPAK të kërkojë në Apel rinisjen e hetimeve.