Pas vendimit të gjykatës së Romës për kthimin e 12 emigrantëve të vendosur në Gjadër, ka reaguar politika italiane. Pas kryeministres Giorgia Meloni dhe ministrit të Jashtëm italian, Antonio Tajani, sot ka reaguar ministri i Drejtësisë Carlo Nordio. Sipas tij ky është një vendim jo normal, që mund të shkaktojë incidente diplomatike.

“Reagimi i politikanëve nuk ishte kundër drejtësisë, por kundër meritës së këtij dënimi me të cilin ne nuk jemi dakord dhe madje e konsiderojmë jonormal. Këto vendime rrezikojnë gjithashtu të krijojnë incidente diplomatike, sepse përcaktimi i një vendi mik si Maroku si i pasigurt mund të krijojë gjithashtu probleme. Nëse konsideronim se vendet ku rregullat që ne i kemi hedhur poshtë si dënim me vdekje, atëherë edhe Shtetet e Bashkuara nuk do të ishin të sigurta”, tha ministri i Drejtësisë, Carlo Nordio, raporton A2.

Duke folur para gazetarëve në një konference në Palermo, Nordio theksoi se kjo është një çështje e politikës së lartë dhe jo kompetencë e magjistratëve. Sipas tij do të merren masa legjislative për këtë vendim.

“Nuk mund të jetë drejtësia që e përkufizon një shtet pak a shumë të sigurt, është një vendim shumë i lartë politik. Do të marrim masa legjislative”.

Më herët këtë mëngjes Matteo Salvini mblodhi me urgjencë Këshillin federal të lega-s për çështjen e Shqipërisë dhe procesin e Open Arms.