Nga: Sali Berisha/ Ish- president i Republikës.

“Unë pata shumë kënaqësi që bëra një diskutim të zgjeruar me zotin Albin Kurti, – tha Berisha, –  për të gjitha zhvillimet si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri, shpreha preokupimin tim shumë të madh për faktin se, këtë verë, serbomëdhenjtë në Beograd dhe argatët e tyre në Prishtinë ia dolën të shndërrojnë çështjen e integritetit territorial të Kosovës dhe kufijtë e saj në lajm kryesor rajonal dhe botëror.

Çdo shqiptari dhe çdo qytetari të Kosovës në mënyrë të veçantë, dua t’i them, në mënyrën më të sigurt, se kurrë në karrierën time politike nuk kam patur, pas çlirimit të Kosovës dhe deri sot, nuk kam dëgjuar një shtetar, diplomat, burrështetas, deputet apo të huaj, që të vërë në diskutim kufijtë e Kosovës. Mund të kem patur shumë pretendime, mund të kem ngritur çështje të ndryshme po kurrë kufijtë e saj aktual, kurrë integritetin e saj territorial.

Në të drejtën ndërkombëtare, kur u zbërthye Jugosllavia, ata kufij ndër republikanë, që kishte vendosur Marshalli, u njohën botërisht si kufij shtetëror. Dhe kjo ndodhi dhe me Kosovën. Në asnjë dokument, të gjitha rezolutat e OKB, përfshirë rezolutën e bitit 94 që i njeh Kosovës të drejtën për vetëvendosje, dokumenti i Rambujesë, dokumenti Ahtisari, dokumenti që shpalli Kosova pavarësinë, dokumenti i Gjykatës së Hagës dhe gjithçka tjetër, kanë njohur Kosovën në kufijtë e sak aktual.

Është nja nga aktet më destabilizuese të rajonit përpjekja e Beogradit  për Serbinë e Madhe, për aneksimin e territoreve të Kosovës dhe destabilizimin e Ballkanit.

Ky akt, nxjerrja e çështjes së kufijve të Kosovës ka vendosur në harresë të gjitha problemet e vërteta që ekzistojnë dhe që duhet të zgjidhin Prishtina dhe Beogradi me dialog. E them këtu që ne jemi plotësisht për dialog, kemi qenë, kemi mbështetur dhe do mbështesim dialogun, por e gjithë ajo që bëhet ka lënë në harresë 30 marrëveshje të pa zbatuara, ka lënë në harresë mijëra e mijëra të zhdukur, dhe kur e sheh nga afër sheh që ka disa banda në Mitrovicën e Veriut, të cilat duket funksionojnë në unison për qeveritarët e Beogradit dhe argatët e tyre në Prishtinë. Dhe, meqenëse këto banda nuk mund të jetojnë me ligj, tani thonë të shkëputemi dhe kanë gjetur, do të më falin bashkëkombësit e mi në Preshevë, të përdorin Preshevën si plaçkë tregu në mënyrë që të realizojnë projektin e Serbisë së Madhe hap pas hapi.

U bëj thirrje qytetarëve të Kosovës, u bëj thirrje deputetëve të Kosovës, t’i japin fund kësaj situate dramatike.  Nuk ka kush autoritet të diskutojë, të vërë në tavolinë integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Nuk ka asnjëri tagër, cilido qoftë ai, nuk ka kush tagër të diskutojë kufijtë e Kosovës. Nuk ka asnjë të drejtë Serbia të pretendojë kufijtë e Kosovës. Nuk ka Kosova asnjë pëllëmbë tokë, as dhuratë nga Tito, as nga Rakoviçi dhe nga askush tjetër. Përkundrazi, nëse i referohemi historisë, jo verbërisht sipas versionit të Beogradit por historisë së vërtetë, kufijtë e Kosovës kanë qenë ndofta edhe një herë më të mëdha se sa ç’janë sot, por ato ia lëmë historisë, ne marrim kufijtë e Republikës së Kosovës.

Së dyti, e theksoj këtu se, hapja e kutisë së Pendores, përbën një rrezik të madh për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Si Mitrovica me tre komuna janë të paktën gjashtë të tjera në një distancë jo shumë të largët, pak qindra kilometra ose më pak nga ai rajon. A do hyjmë ne tani të hapim zinxhirin e një seri konfliktesh për ambicien e një Serbie të Madhe, të cilët kësaj here, me një operacion të paimagjinueshëm, nuk e shprehin më vetë, por e shprehin me argatët e tyre në Prishtinë.

Sa herë që e kana shtruar, me dhjetëra herë, kana marrë një përgjigje të prerë kategorike nga Tirana, për hir të së vërtetës dhe nga Prishtina, për fat të keq edhe nga këta që sot kana marrë flamurin e tyre dhe e servirin sot si projekt.

Së fundi dua t’i informoj qytetarët e Kosovës, se kjo ideja e kufijve që serviret si ide shqiptare dhe me një dhembshuri të madhe për Preshevën, është absolutist falsitet.

Kjo është ide e mirëfilltë e Beogradit, e shtruar tek unë në Selanik nga Vuk Drashkoviç, e propozuar në mënyrë të përsëritur, e kundërshtuar në mënyrë kategorike nga Tirana zyrtare por dhe Prishtina zyrtare.

Ndërsa tani, na u gdhi si një ide shqiptare.

Kjo është një ide serbomadhe, me të cilën asnjë shqiptar nuk duhet ta mbështesë.

Unë mbështes plotësisht qëndrimin e opozitës së Kosovës, shumë i drejtë, dhe ky qëndrim në vlerësimin tim i shërben paqes, stabilitetit, bashkëpunimit rajonal, bashkëpunimit ndërshtetëror midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe në tërësi.

Nuk ka minoritet në Europë që të ketë të drejtat që kanë sot serbët në Kosovë, përveç të drejtave të serbëve. Serbia nuk ka asnjë të drejtë të pretendojë gjë në Kosovë. Të gjitha i ka për projektin e Serbisë së Madhe, i ka për bandat e trafikantëve të drogës, të armëve, që e kanë shndërruar Mitrovicën e Veriut njësoj si disa zona të pushtuara nga rusët në Moldavi dhe zona të tjera, por kjo është histori tjetër. Historia me banda është histori që duhet të merret ligji me të.”

Veritas.com.al/