Projekti i studios arkitekturore “Selgascano Architects” nga Madridi është shpallur fituese e konkursit ndërkombëtar për Rozafën e re, të prezantuara një ditë më parë krahas 5 studiove të njohura europiane. Në projektin fitues janë punuar në tre pamje, Liqeni i Shkodrës, Alpet e Shqipërisë dhe Lumenjtë Buna dhe Drin.
“Punuam po ashtu me 4 madhësi për ta bërë më të lehtë e më njerëzore këtë kullë. Kulla është e organizuar në tre blloqe, poshtë pjesa tregtare, apartamentet, dhe më pas hoteli që do të jetë në pjesën e sipërme. Do të ruhet dhe do të shtohet gjelbërimi në të gjithë zonën”, u shprehën përfaqësuesit e studios fituese.
Mëngjesin e sotëm kryeministri Edi Rama ka ndarë për ndjekësit e tij pamjet e këtij projekti.
“Mirëmëngjes dhe me projektin fitues të konkursit ndërkombëtar, “Rozafën e Re të Shkodrës”, e studios prestigjioze spanjolle Selgascano Architects, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Duke folur në çeljen e konkursit ndërkombëtar për 5 studiot pjesëmarrëse, Rama tha se kjo ndërtesë do të jetë një gjurmë që do t’i shtohet trashëgimisë së Shkodrës për brezat e ardhshëm.
“Synojmë të krijojë një ikonë të këtij shekulli për Shkodrën e cila është shumë e pasur me monumente, është shumë e pasur me gjurmë të historisë ku çdo brez ka lënë gjurmën e vet dhe ku kjo ndërtesë do të jetë një gjurmë e cila do t’i shtohet kësaj trashëgimie të Shkodrës për brezat që vijnë. Nga ana tjetër është pjesë e një vizioni shumë më të gjerë që kombinon së bashku investimet publike”.
Në konkursin ndërkombëtar për Rozafën e re morën pjesë 5 studio:
Benedetta Tagliabue – EMBT Architects nga Barcelona
Kuehn Malvezzi Architects nga Berlini
Selgascano Architects nga Madridi
Baukuh Architects nga Milano
Piero Lissoni & Partners nga Milano