Vret djalin e hallës pas sherrit për parcelat e mbjella të drogës. Të paktën ky është dyshimi paraprak i grupit hetimor që shkoi mbrëmë në vendin ku ndodhi krimi, viktimë e të cilit mbeti Altin Llani, 37 vjeç nga Fieri.

Policia e Tepelenës bëri të ditur se autori Gjergji Hasani, banues në Dhëmblan të Tepelenës, është arrestuar në flagrancë për veprën penale të vrasjes. Ndërkaq, policia nuk dha të dhëna të tjera rreth krimit, por, siç bëri të ditur, nuk përjashton çdo pistë të mundshme. Banorë të zonës bënë të ditur se prej më shumë se dy muajsh, viktima nga Fieri kishte ardhur te të afërmit e tij në Tepelenë.

 

Sipas tyre, Altini  rrinte në fshatin Metohasanaj, ndërsa dyshohet se kontrollonte një zonë të konsiderueshme të mbjellë me lëndë narkotike në vendin e quajtur “mali Griba”. Megjithatë, policia në njoftimin e dhënë e ka konsideruar ngjarjen si një konflikt të çastit mes dy kushërinjve.