Konstitucionalisti Kristaq Kume, në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e A2, tregoi se në cilat raste shpërndahet parlamenti.

“Në rastin kur kryeministri kërkon mocion mosbesimi dhe nuk arrin të marrë shumicën e votave të deputetëve; në rastin kur Kuvendi nuk zgjedh dot kryeministrin dhe në rastin kur kuvendi nuk zgjedh dot presidentin. Në këto raste kalohet në zgjedhje të parakohshme. Në kushtetutë nuk ka asnjë arsye tjetër për shpërndarje parlamenti, por për mendimin tim nuk është ky problemi. Problemi është situata politike, sociale dhe ekonomike, kriza politike, mungesa e qeverisjes sipas kërkesave demokratike të qeverisjes”, tha Kume.

“Edhe nëse presidenti dekreton shpërndarjen e kuvendit, është kuvendi ai që nuk do ta konsiderojë një gjë të tillë”, nënvizoi konstituiconalisti.

Sipas tij, “klasa politike duhet ta lexojë mirë situatën e djeshme dhe jo të merret se kush ka të drejtë apo jo”.

“Klasa politike ka detyrë të zgjidhë krizën politike dhe rruga për të dalë nga kjo krizë nuk është dekreti që nuk do të respektohet, por përfundimi i Reformës Zgjedhore dhe kalimi menjëherë në zgjedhje për kuvendin”, u shpreh Kume.

VERITAS.COM.AL/