Frrok Çupi
Sepse pa atdheun nuk ke asgjë; në atdheun tënd edhe tymi të ngroh më mirë se zjarri i huaj. Të gjithë mund të tradhtojnë, atdheu nuk e braktis njeriun kurrë.
Pse vallë, mes nesh u kthye përsëri tema e atdheut.
‘U kthye, apo ishte’?. E vërteta është se kjo është fryma që e shoqëron njeriun nga dita e lindjes deri në ditën e fundit. Po të kesh lindur pa dëshirën për atdheun, nuk ke lindur me gëzim, shkruante filozofi Shopenhauer.
Biseda për atdheun u kthye kësaj here, jo për shkakun tonë, por së pari për shkak të atdheut. Sepse atdheu ‘u doli duarsh’ dhe u ngjit në nivele që kurrë më parë nuk ishte. Ose në nivele që kurrë më nuk ka nevojë të thuhet ‘haj ngjitemi’. Do të thuhet ‘ejani ta mbajmë atdheun në këtë lartësi’.
Ka edhe plot njerëz që e duan atdheun (nuk mund tu thuash se nuk e duan fare), por e duan ulët, ta kapin për degësh për ndonjë kokërr, pisët, rrumpallë, ligësht që ta shkelin kollaj. Siç e kishim në vitet 90, 96, 97, 98, 2011…
Njeriu, sidomos njeriu i ulët, i ka këto qejfe brenda vetes, qejfe të pista që i vishen edhe atdheut. Madje edhe nuk është faj i madh, ka njerëz që nuk e durojnë as të mirën, as të ndriturën, as qytetërimin. Me kë po flasim kështu? Jo vetëm ata tridhjetë a pesëdhjetë vetë që cingërojnë në bulevard, por ka edhe më shumë që ‘nuk kanë lekë për biletë, pa do t’i suleshin Tiranës’. Këta ia kërkojnë kokën atdheut.
Padyshim, shumica e shumicave njerëzore po u gëzohen cilësive të atdheut. Të tjerët u ndodhën në një moment habie ose besimi. U ndodhën si librat që fantazojnë për jetën në dy epoka, njërën në shekullin 18 e tjetra në shekullin 21. Prek një gur e kalo atje; prek përsëri dhe eja këtej. Disa tregtarë pasaportash, vite të fillimit, ngarkonin makinën me të gënjyer prej tyre dhe i zbarkonin në ndonjë kthesë rruge ku dukej një flamur.
“Mbërritëm në Greqi, më jepni lekët!’, i urdhëronin pasagjerët e mashtruar, dhe ktheheshin prapë për furnizim në depon njerëzore.
Desh ndodhi kësaj here. Shtete që e urrejnë vendin tonë besuan se u prinë ‘depove njerëzore’ drejt një pikë theqafje ku ngrihet edhe flamuri kombëtar.
Këta që ndodhen në bulevard pasdite, janë thjesht një mbetje e entuziazmit të armikut të kombit tonë. Dobësia e armikut është, kurdoherë, se entuziazmohet shpejt.
Tani po shtrohen, në të njëjtin rrafsh, te dy dilemat:
E para:
A jemi objektiv i sulmeve të armiqve tanë dhe armiqve të Perëndimit?
Me këtë, disa qeshin. Më shumë skërmisin se sa qeshin. Por edhe këtë e bëjnë sepse kanë përpara një telefon dhe një linjë interneti. E përhapin ligësinë me qëllim që të stërkeqin të vërtetën para të cilës ndodhet kombi.
Me këtë të vërtetë, disa prozvaldin atdheun.
“U bë Shqipëria të luftojë me armiq”. Nuk ka baltë më të ndyrë se sa kjo kundër atdheut. Edhe tani lajmi i rremë se ‘Shqipëria nuk ia vlen’, është pjesë e skemës dhe lidhjeve Islamike Iraniane.
E vërteta se atdheu ynë është i sulmuar nga jashtë, u konfirmua edhe politikisht. PD në opozitë konfirmoi, kur nuk pranoi të votojë huanë amerikane. Huaja prej 300 e ca milionë jepet për shtimin e aftësisë mbrojtëse të Shqipërisë. Momenti e kërkon këtë; e kërkon për shkak të një situate reale. Situata reale, rreziku që vjen nga jashtë, rrezikon edhe Perëndimin. Sinjali, nga Shtete e Bashkuara. Nga kush tjetër duhet të vijë!?
Ta zëmë se PD dhe njerëzit e saj në bulevard ‘e dinë se nuk po sulmohemi! Por edhe në këtë moment mbahet ana e atdheut.
Dilema e dytë:
A kanë probleme njerëzit? Probleme me ujin, me rrugë, me shëndetin, me emigrimin?… Thuaj ça të duash. Të gjitha janë për njeriun. Si çdokush në rruzull. Natyra nuk e ka bërë njeriun të përsosur; as jeton në përsosmëri. Madje as ‘oligarkët e neokomunistëve’, nuk jetojnë ashtu.
Goditja kësaj here u drejtua mbi të vërtetën që përjeton njeriu. Qeveria e vendit mori përsipër barrën që të prekë një për një çdo kërkesë.
Në një atdhe ku ka edhe probleme, ka vështirësi, ka një histori ngecjeje dhe zhvillimi; në një atdhe ku mbrohen dhe shahen vlerat, vallë a të jemi të huaj?
Po me Iranin çfarë fitojnë këta që cingërinë çdo pasdite? Se kush nuk i takon atdheut të vet, nuk mund t’u takojë të tjerëve. As vetes.
Komente