(FOTO: Nga Financial Times)/

Nga: Financial Times, 12 Maj 2017/

Në këtë vit të zgjedhjeve në Francë, Gjermani dhe Britani të Madhe, nuk merrej me mend se zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë në qershor do të merrnin të njëjtin nivel të vëmendjes ndërkombëtare. Zhvillimet në Ballkan gjatë muajve të ardhshëm mund të bëhen po aq të rëndësishme për të ardhmen e Evropës, ndoshta edhe më shumë”.

Kështu e nis një analizë të tij në “Financial Times”, David Clark mbi situatën në Ballkan dhe zgjedhjet politike që zhvillohen në disa shtete të rajonit. Ai komenton fillimisht situatën në Serbi, Bosnje dhe Maqedoni. Përsa i përket Shqipërisë, Clark ndalet më gjatë dhe situatën në të cilën ndodhet vendi e quan “të paparashikueshme”, citon lapsi.al.

“Shqipëria është në prag të të bërit e paparashikueshme në një kohë që opozita vazhdon bojkotin ndaj parlamentit prej 3 muajsh dhe ka parashikuar protesta masive këtë fundjavë. Një bojkot i zgjedhjeve të përgjithshme mund të ndodhë nëse qeveria socialiste dhe kryeministri Edi Rama nuk vendosin të largohen përpara zgjedhjeve.

Opozita këmbëngul se vetëm një qeveri teknokratësh mund të jetë e besueshme për të garantuar zgjedhje të lira dhe korrekte. Ka arsye të besueshme për ta thënë. Një relacion i OSBE-së që monitoroi zgjedhjet lokale të vitit 2015 në Shqipëri sinjalizoi abuzime të rënda mes të cilave blerja e medieve, intimidimi i votuesve dhe abuzim i resurseve publike nga ana e qeverisë. Zgjedhjet vetëm me një krah do të instalonin një qeveri me fuqi të mëdha, por pa legjitimitet duke ndarë vendin dhe duke e detyruar politikën të shkojë drejt rrugës.

Partnerët europianë të Shqipërisë kanë motive të shumta për të qenë të shqetësuar për drejtimin që po merr vendi. Zoti Rama ishte i shpejtë të luante kartën nacionaliste pa pasur kujdes për pasojat që mund të sillte në rajon. Politikanët maqedonas ankohen se ai ndërhyn në punët e tyre të brendshme dhe nxit tensionin etnik duke inkurajuar pakicën shqiptare të ngrejë kërkesa të reja. Ai shfaqi publikisht idenë e bashkimit me Kosovën, duke rrezikuar të provokojë Serbinë për të rihapur “Kutinë e Pandorës” të nacionalizmit ballkanik. Nëse ideja e “Shqipërisë së madhe” nis të kërkohet, kërkesat për një “Serbi të madhe” apo një “Kroaci të madhe” do të pasojnë me siguri së bashku me një përplasje rajonale që do të jetë më e vështirë të frenohet në krahësim me luftrat e viteve 90.

Ekziston edhe roli i Shqipërisë si një “narko-shtet” në fazën e formimit. Vendi ka prej kohësh emrin e “portës kryesore” për heroinën dhe kokainën që hyn në Europë. Së fundmi është bërë edhe prodhuesi më i madh në kontinent i kanabisit me sipërfaqe gjithmonë e më të mëdha dhe fushata që i kanë dhënë frymë kultivimit të tij. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit prodhimi i kanabisit u rrit 5 herë në krahasim me një vit më parë. Të dhënat e trafikut të drogës janë të dukshme. Me një kryeministër që nuk arriti të hapte 300 mijë vende pune të premtuara në zgjedhjet e fundit, prodhimi i kanabisit u ofron të ardhura të mëdha financiare atyre që nuk kanë mundësi të tjeta ekonomike. Të ardhurat nga ky aktivitet janë gati sa gjysma e GDP-së së Shqipërisë.

Akuzat për një lidhje të fortë me kartelet e drogës janë ngritur edhe nga disa persona në qeveri dhe jo vetëm nga opozita. Ylli Manjani, ish-ministër i drejtësisë i shkarkuar në janar konfirmoi se përpjekjet e tij për të penguar prodhimin e kanabisit u bllokuan nga disa kolegë në qeveri. Zv.kryeministri i hodhi poshtë akuzat. Ajo që dimë është se strategjia e qeverisë për të luftuar fenomenin në pjesën më të madhe ishte e pazbatueshme. Ka pasur dhjetëra arrestime të nivelit të ulët, por siç ka thënë edhe BE, kokat e mafias që drejtojnë trafikun mbeten dukshëm të paprekshëm.

Si pika e dobët e shumë vendeve të botës, një përfitim nga destabiliteti politik, tensioni etnik dhe paligjshmëria në Ballkan është islamizmi i dhunshëm. Edhe pse historikisht ka qenë i moderuar disa nga komunitetet myslimane të rajonit janë bërë gjithmonë e më të tërhequra nga ISIS dhe grupe të tjera terroriste. Shumë shqiptarë janë konsideruar nga kontingjentet më të mëdha të myslimanve nga Ballkani që luftojnë për ISIS në Siri. Nëse vendet do të rëshqasin në destabilitet, grupet xhihadiste do të forcohen.

BE është në një dilemë rreth asaj se çfarë të bëjë me vendet e ndara dhe të qeverisura dobët të Ballkanit Perëndimor. Nga njëra anë, anëtarësimi në BE është gjëja më e afërt që rajoni ka në një vizion unifikues për të tejkaluar linjat sektare. Pranimi gjithashtu siguron shtysën e vetme të rëndësishme për reformat politike dhe ekonomike. Mbani shënim këto gjera sepse ngjarjet mund të dalin jashtë kontrollit shumë shpejt.

Nga ana tjetër, BE tashmë përballet me probleme të rëndësishme me rënien e standardeve demokratike në disa prej shteteve më të reja anëtare. BE nuk mund të përballojë më shumë probleme politike duke ulur pragun për anëtarësim. Ka shumë gjëra që kanë shkuar keq në Ballkan gjatë viteve të fundit. Udhëheqësit europianë duhet të përdorin ndikimin e tyre për tu siguruar që zgjedhjet e Shqipërisë të kthehen në një pikë kthese për mirë dhe jo të shkojnë drejt destabilitetit” – mbyllet shkrimi në “Financial Times”.

___

Titulli: Nga Veritas.com.al/