Kryeministri Edi Rama në programin televiziv ‘ Opinion’ të TV Klan, tha:
“Jua them të gjithë shqiptarëve, nëse për një sekondë të vetme, unë do të mendoja se po të iki unë, këtu do normalizohet gjithçka dhe këta do të sillen normalisht nesër, unë nuk do isha këtu sot, do kisha ikur. Nëse unë do të mendoja se këtu do të mbarojë kjo marrëzi, nëse do të mendoja se Saliu të nesërmen e ikjes sime do të bëhej njeri dhe do të mendojë më në fund një herë të vetme që ky vend nuk është i tiji dhe nuk mund të bëjë çfarë të dojë apo ta djegë sa herë nuk ka pushtet, apo të hedhë në erë institucionet, sa herë i teket atij, unë do kisha ikur, por nuk është çështje personi, është çështje e një sistemi që duhet ta ndërtojmë për fëmijët tanë. Kemi ardhur këtu, sepse nuk e kemi marrë kurrë seriozisht.”
“30 Qershori është data e zgjedhjeve vendore, por nëse ne hyjmë në këtë marrëzi që të diskutojmë a duhet në një sistem demokratik të krijojmë një traditë që s’ka lidhje me demokracinë, që ai që e përdor mandatin që i ka dhënë populli për të marrë peng nga pozitat e pakicës ngaqë nuk fiton dot zgjedhjet, ngaqë është i rrezikshëm, se mund të bëjë këtë, këtë, këtë, duhet t’i hapim rrugë, këtu ka marrë fund. Nuk është çështja e 30 Qershorit, çështja është që nuk ka mundësi të bëhen më kurrë për kushedi sa vite zgjedhje normale, procese normale dhe të ketë bashkëjetesë normale nëse legjitimohet djegia e mandateve, do të vijë tjetra do të bëjë të njëjtën gjë. “
“Po u bë dhunë kush e ka fajin? Po u bë dhunë e ka fajin ai që dhunon. Këtu kemi ardhur në pikën që kemi relativizuar dhunën dhe e konsiderojmë një shprehje të natyrshme të një pozicioni politik të disa njerëzve që kanë luftuar për drejtësi.”
Kryeministri shprehu bindjen se në 30 qershor mund të ketë gjëra që mund të ndodhin tek tuk, po shqiptarët nuk përzihen në trazira.
Veritas.com.al/