Partia Socialiste duket se ka arritur në një vendim sa i përket kërkesës së Partisë Demokratike për ngritjen e 3 komisioneve hetimore.

Burime  nga mbledhja e Grupit Parlamentar të PS bëjnë me dije se mazhoranca do të votojë kundër ngritjes së komisionit hetimor “Becheti” ndërsa për “inceneratorët” dhe “masakrën zgjedhore” do të votohet pro, por do të kërkohet të riformulohet objekti i hetimit.

Tre problematikat që Partia Demokratike i ka ngritur prej kohësh dhe që i ka pasur një kartë të rëndësishme të aksionit opozitar, tashmë i kanë kërkuar që të diskutohen në 3 Komisione Hetimore,  për zgjedhjet e 25 prillit që i quajnë “masakër zgjedhore”, për çështjen Becchetti ku Shqipëria ka humbur përballjen me sipërmarrësin italian në një Gjykatë Arbitrazhi dhe duhet të paguajë 110 mln euro si edhe për Inceneratorët që e kanë cilësuar një aferë mafioze, ku Lulzim Basha tha se kjo është vetëm nisja e ofensivës në Kuvend.

Nëse do të ngrihen këto Komisione, fjalën e fundit do e thotë Kuvendit, dhe sipas asaj që shkruhet në Kushtetutë, në nenin 77 pika 2, për Komisionet Hetimore mjafton që të bëhet kërkesa nga 35 deputetë dhe Parlamenti e ka detyrim që të caktojë komision hetimi.

Ndaj edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka nënvizuar se për Partinë Socialiste ngritja e Komisionit Hetimor për çështjen “Becchetti” bie ndesh me interesat e Shqipërisë dhe me Kushtetutën e vendit, ndaj edhe duhet menduar mirë edhe nga opozita.

VERITAS.COM.AL