Ka nisur me tensione seanca plenare e ditës e sotme, ashtu si seancat e tjera që janë zhvilluar muajt e fundit.
Deputetët e Sali Berishës kanë mundur të futen në sallë dhe po shkaktojnë zhurmë me bilbilë dhe brohorima.
Ndërkohë, në hyrje të Kuvendit, deputeti demokrat Flamur Noka u hodhi miell punonjësve të gardës.
Ndërkohë Lindita Nikolla njoftoi se me kërkesë të Grupit të PS, ligji për bastet online është hequr nga rendi i ditës.
Pavarësisht kaosit të Rithemelimit, mazhoranca ka vijuar me miratimin e disa projektligjeve. Gjithashtu me shumicë janë rrëzuar edhe disa amendamente të propozuara nga Lulzim Basha.
Kuvendi miratoi sot 9 projektligje, 1 dekret dhe 1 projekt-vendim në rendin e ditës.
Kështu, Kuvendi miratoi me 75 vota pro projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Italisë dhe Komisionit Evropian, i cili përfaqëson Bashkimin Evropian, për Programin e Bashkëpunimit (Interreg VI-A) IPA Itali-Shqipëri-Mali i Zi (Adriatiku Jugor) 2021-2027”.
Kuvendi miratoi me 75 vota pro projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin IPA të Bashkëpunimit Ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri 2021-2027”.
Kuvendi miratoi me 75 vota pro projektligjin “Për Ratifikimin e Marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për njohjen e së drejtës së ushtrimit të profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”.
Kuvendi miratoi me 75 vota pro projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë, për mbrojtjen shoqërore”.
Kuvendi miratoi me 75 vota pro projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga zyra e Kryeministrit, dhe Komisionit Evropian, për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri-Kosovë 2021-2027”.
Kuvendi miratoi me 75 vota pro projektligjin “Për ratifikimin e protokollit ndryshues të marrëveshjes, ndërmjet palëve të Konventës së Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore për Shkëmbimin e Automatizuar të të Dhënave të ADN-së, Daktiloskopike dhe të Dhënave të Regjistrimit të Automjeteve, të ratifikuar me ligjin nr.13/2019”
Kuvendi miratoi me 75 vota pro projektligjin Projektligj “Për miratimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë”.
Kuvendi gjithashtu rrëzoi me 75 vota kundër dy amendamentet e propozuara nga Lulzim Basha për këtë projektligj
Kuvendi miratoi me 75 vota pro projektligjin “Për strategjinë e mbrojtjes së mjedisit detar të Republikës së Shqipërisë”.
Kuvendi miratoi me 75 vota pro projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.162/2020, “Për Prokurimin Publik””
Kuvendi miratoi me 75 vota pro Dekretin nr.10, datë 13.1.2023 “Për kthimin e ligjit nr. 93/2022 “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë””.
Kuvendi miratoi me 75 vota pro Projekt-vendimin “Për miratimin e planit vjetor 2024 për zbatimin e Programit të Statistikave Zyrtare 2022-2026”.
Gjithashtu, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla u shpreh se me kërkesë të kryetarit të grupit parlamentar të PS, është kërkuar tërheqja nga diskutimi i ditës së sotme të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.