Kuvendi i kërkon Komisionit Europian për Demokraci Përmes Ligjit (Komisioni i Venecias) opinion për 8 pyetje në lidhje me detyrat e kompetencat e Presidentit të Republikës mbi dekretin për zgjedhje, mbi sovranitetin e popullit, mbi kufizimin e kompetencave, etj.
Kjo është një praktikë e njohur në vendet easpirante për në BE.
Media ka publikuar sot shkresën e Kuvendit që i drejtohet Komisionit të Venecias dhe Presidentit të saj Gianni Buquicchio për një opinion urgjent në lidhje me Presidentin e Shqipërisë.
Në shkresë Kuvendi bën një përmbledhje të situatës në vend, duke nisur nga caktimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti, qëndrimi i opozitës e djegia e mandateve, mospjesëmarrja e PD e LSI në zgjedhje, përplasjet në KZAZ-të në bashkitë e drejtuara nga përfaqësues të opozitës në vend, 30 qershori dhe deri tek komisioni hetimor për shkarkimin e Kreut të Shtetit.
Në shkresën e firmosur nga kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi përfshihet edhe çuarja në Kolegj e kërkesës për çregjistrim të partisë së Idajet Beqirit dhe vendimin e tij.
Në fund, kreu i Kuvendit duke iu drejtuar Presidentit të Komisionit të Venecias z. Buquicchio, i kërkon një opinion sa më shpejt që të jetë e mundur, ‘nisur nga ndjeshmëria dhe situata ku ndodhet vendi’.
KËRKESAT:
- Cili është roli i Presidentit të Republikës në regjimet parlamentare si Shqipëria, në raport me pushtetet e shtetit sa i takon proceseve zgjedhore?
- Cilat janë detyrimet kushtetuese dhe konventore që i imponohen Presidentit të Republikës në regjimet parlamentare, siç është edhe Shqipëria, në ushtrimin e kompetencës për caktimin e datës së zgjedhjeve?
- A ka kufizime në ushtrimin e kësaj kompetence që rrjedhin nga e drejta demokratike e zgjedhësve për ta ushtruar këtë të drejtë sipas marrëveshjes kushtetuese, me siguri dhe parashikueshmëri?
- Kompetenca e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve, është një e drejtë e tij për të vendosur ushtrimin e sovranitetit të popullit, apo një detyrim i tij për të garantuar cilësisht ushtrimin e sovranitetit popullor nëpërmjet zgjedhjes së përfaqësuesve të tij, brenda kufizimeve që sovrani ka vendosur nëpërmjet Kushtetutës së miratuar prej tij?
- Nëse Presidenti i Republikës, pasi e ka caktuar datën e zgjedhjeve dhe organet e administrimit të zgjedhjeve janë duke kryer veprimet sipas ligjit, e anulon dhe cakton një datë tjetër, a kemi cenim të parimeve të së drejtës për të zgjedhur dhe të sigurisë kushtetuese, në funksion të respektimi të shtetit të së drejtës?
- Në rastin e mësipërm, a kemi ndërhyrje të Presidentit të Republikës në procesin zgjedhor, duke cenuar të drejtën e subjekteve zgjedhore për të konkurruar në mënyrë të barabartë dhe të lirë?
- Nisur nga parimi se qeverisja duhet të dalë nga një sistem zgjedhjesh periodike, që mbahen çdo katër vjet, nxjerrja e Dekretit të Presidentit që anulon datën 30 qershor 2019 si datë të mbajtjes së zgjedhjeve vendore dhe që zgjat qëndrimin në detyrë të përfaqësuesve në këshilla bashkiakë dhe kryetarëve të bashkive, tej mandatit katër vjeçar, a e respekton parimin e periodicitetit të zgjedhjeve?
- Duke patur parasysh se ndryshimi i datës së zgjedhjes ndikon tek pritshmëritë ligjore për subjektet zgjedhore dhe zgjedhësit, a konsiderohet se cenohet siguria juridike në këto raste?
A është i lidhur cenimi i sigurisë juridike me pasojat që vijnë apo mjafton shkelja e parashikimeve kushtetuese dhe cenimi konsiderohet i kryer?