Parlamenti do të mblidhet nesër në orën 18:00 në një seancë të jashtëzakonshme. Seanca thirret me kërkesën e kryeministrit Edi Rama. Në seancën e jashtëzakonshme pritet që opozita të propozojë anëtarët e saj në komisionet e vetingut, si edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor që parashikojnë regjistrimin e PD-së në zgjedhje dhe të listave të saj të kandidatëve. Gjithashtu në këtë seancë do të shqyrtohen edhe ministrat teknikë.
Kuvendi shpërndan njoftimin:
‘Bazuar në nenin 74 të Kushtetutës dhe në nenin 42 të Rregullores së Kuvendit, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama, i ka drejtuar Kuvendit një kërkesë të motivuar me shkrim për thirrjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm. Kërkesa ka përcaktuar që thirrja e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm të zhvillohet ditën e hënë, më datë 22 maj 2017, në orën 18.00. Rendi i ditës i seancës plenare do të përmbajë diskutimin dhe votimin e çështjeve për vënien në zbatim të Marrëveshjes Politike të datës 18 maj 2017, lidhur me:
– Votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për lirim dhe emërim të zëvendëskryeministrit dhe të 6 ministrave.
– Emërim të zëvendëskryeministrit dhe të 6 ministrave;
– Shqyrtimin dhe miratimin e paketës ligjore që ka lidhje me reformën zgjedhore;
-Miratimin e anëtarëve të pakicës parlamentare në 3 komisionet ad hoc të vettingut, si dhe caktimin e zëvendësuesve; Zgjedhjen e Kryetarit dhe një anëtari të KQZsë’.
/Veritas.com.al/