Partia Socialiste rrëzoi dekretin e presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta për administrimin dhe menaxhimin e Parkut të Butrintit.
Kjo, për kthimin e ligjit nr. 50/2022 “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nën zonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e parkut kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”.
Më saktësisht, Meta shkruante se “Marrëveshja për Butrintin” cenon parimet dhe vlerat universale që mbrohen që në preambulën e Kushtetutës.
Kjo, duke cenuar kësisoj drejtpërdrejtë interesin publik shqiptar.
Së dyti, presidenti shqiptar sqaron se kjo marrëveshje cenon edhe Konventën e Parisit dhe nuk është në harmoni me parimet e mbrojtura nga UNESCO.
Në motivimet e kreut të shtetit për kthimin e marrëveshjes përmendet rënia ndesh me jurisprudencën e Kushtetueses, mangësitë në procedurat e ndjekura, apo edhe praktikat të Kuvendit të Shqipërisë.
Kjo, duke mos siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase që ka njohuri të thelluara mbi Parkun Kombëtar të Butrintit, nënzonave dhe siteve arkeologjike të tij.
Marrëveshja
Kuvendi i Shqipërisë miratoi më 23 maj – me 75 vota pro – marrëveshjen për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor.
Pjesë e këtij ligji është administrimi i Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit.
Aktorët kryesorë, që janë nënshkrues në kontrata apo marrëveshje mes palëve, janë Ministria e Kulturës, Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Instituti i Arkeologjisë (IA).
Këtë e dëshmon pikërisht protokolli i bashkëpunimit mes palëve, të cilin e ka siguruar Albanian Post.
Ai është firmosur nga përfaqësuesit e fondacionit, ministrisë dhe institutit, si palët e vetme në Menaxhimin e Butrintit.
Fondacioni, sipas marrëveshjes, do të ofrojë mbështetje financiare për projektet e IA-së, të cilat do të zhvillohen në zonën e “Pasurisë Kulturore”.
Njëra nga risitë e kontratës është prioriteti që do t’u jepet “arkeologëve shqiptarë”, në një sit që ka tërhequr më së shumti vëmendjen e arkeologëve italianë apo britanikë në të kaluarën.
Butrinti do të ketë, më në fund, një ambient të përshtatshëm për ekspozimin e “gjetjeve arkeologjike dhe historisë së gërmimeve”.
Kjo e fundit është menduar të vendoset në “qendrën e vizitorëve”, të cilës do t’i kthehemi sërish më poshtë.
Depozitimi dhe ruajtja e fondit arkeologjik do të zhvendoset në qytetin e Sarandës, duke iu referuar dokumentit, për të mundësuar ruajtjen e tyre.
Për të kuptuar dakordësinë mes palëve, mjafton të lexohet se fondacioni “do të konsultohet rregullisht me IA-në për çdo çështje që prek Pasurinë Kulturore dhe fushës së arkeologjisë”.
Në të kundërt, pika e fundit e bashkëpunimit lë të hapur mundësinë që palët mund t’i drejtohen Gjykatës së Tiranës, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Fondacioni do të ketë mundësi që të “thithë” edhe grante të tjera nëpërmjet partnerëve strategjikë – me daljen nga skema shtetërore.
Sa i takon investimit, për të cilin gjithashtu është bërë jo pak zhurmë, AADF-ja do të financojë me një grant deri në 5,5 milionë dollarë, nëse rakordohemi me shifrat e bëra zyrtare.
Investimi total për shtatë vitet e para është parashikuar të jetë 7 milionë dollarë.
Shteti shqiptar do të kontribuojë për pjesën e mbetur (2 milionë dollarë), të cilat gjenden në “arkën” e Butrintit.
Nga këto, 40 për qind do të shpenzohen për konservimin e parkut, ndërsa 60 për qind për përmirësimin e infrastrukturës.
Në të përfshihet edhe ngritja e një qendre të re vizitorësh, me një kapacitet për afro 300 mijë turistë.