Grupet parlamentare të PD dhe LSI kërkuan që seanca e sotme e jashtëzakonshme të kishte diskutime për votimin e ministrave të rinj të propozuar nga kryeministri. Por kërkesa nuk u miratua nga maxhoranca; atëherë deputetët e opozitës kanë braktisur sallën.

Sapo kryetari i Kuvendit Ruçi, tregoi disa nga precedentët e ndodhura përgjatë këtyre viteve dhe hapi votimin për prezencën dhe dekretet e presidentit, deputetët e opozitës u ngritën nga vendi i tyre dhe u afruan afër foltores.

Pas kësaj ata dolën nga salla. I vetmi që qëndroi për pak çaste në sallë ishte ish-kryeministri Sali Berisha, ndërsa ai bllokoi foltoren dhe nisi të flasë edhe pse me mikrofon të mbyllur.

Diskutimet:

Spaho: Nuk kemi bërë kërkesë për mënyrën e votimit, por kemi bërë kërkesë që shqyrtimi i dekreteve për ndryshimin e qeverisë bëhet me debat. Kemi paraqitur listën e folësve për çdo grup parlamentar. Mbi bazën e kësaj kërkese kërkojmë të zhvillohet debat sepse na mbështet rregullorja dhe Kushtetuta. Njofto që do të zhvillohet debat për shkarkimin dhe emërimin e  Ministrave.

Vasili: Kemi biseduar dhe me stafin tuaj, i cili kërkoi ndryshe nga herët e tjera të depozitoheshin që përpara dhe zyrtarisht lista e diskutantëve. E kemi kryer këtë procedurë. Nuk ka asnjë pikë të vetme të rregullores që ndalon diskutimin dhe debatin. Po prisnim që ju të prezantonit listën e diskutantëve, sikundër rregullorja e kërkon. Kërkoj dhe dua të di arsyet se pse kjo nuk u njoftua nga ana juaj.

Balla: Në rregulloren e Kuvendit ka nen për emërim-shkarkim të Presidentit, për emërim-shkarkim të qeverisë kur bëhet fjalë për mocion mosbesimi. Jam me katër mandate në këtë Kuvend dhe asnjëherë nuk kemi bërë debat për emërim-shkarkim Ministrash. Jeni njoftuar që dje për urdhrin e thirrjes së seancës.Nuk është seancë e jashtëzakonshme por sesion i jashtëzakonshëm. Kryeministri ka kërkuar votimin e dekreteve për emërim dhe shkarkim. Bëni kërkesën mocion me debat me qeverinë, po keni forcë bëni dhe mocion mosbesimi ndaj qeverisë por ne kohë për të humbur me ju për llogje pazari sa herë tu teket ju dhe kur të doni ju, nuk ua japim këtë dëshirë.

Mediu: Sot ne kemi përbërjen e këshillit të ministrave dhe koha duhet të jetë dyfish i debatit. Nuk ka asnjë nen që ndalon debatin. Debati për ndryshimin e qeverisë është debat publik dhe ju doni të ndaloni  Kuvendin e Shqipërisë. Vetëm në një Republikë bananesh ndodh kjo.Jemi këtu si parlamentarët dhe jo si mbështetës dhe zëdhënës të qeverisë.

Ruçi: Jam konsultuar dhe në asnjë nen të rregullores nuk thuhet që dekretet e presidentit për emërime dhe ç’emërime bëhen me debat.

Veritas.com.al/