Frrok Çupi
Dje Ilir Meta, kryetari i Kuvendit u zu “rob”. Në sallën e Kuvendit, në kolltukun e tij të lartë, teksa drejtonte seancën parlamentare. Bash aty ku bëhet “atentati” më i lashtë, në fron. Një deputet i Kuvendit, Ben Blushi, u ngjit në foltore dhe denoncoi një krim. “Jam i kërcënuar me jetë,- tha ai- ja ku është edhe kërcënimi i shkruar, ja cili është edhe autori…”
Në atë moment kryetarit të Kuvendit i erdhi rasti.
Rasti është makbethian. Krimi u ngjit në kupolën e shtetit, hyri në sallën e Kuvendit. Njësoj si në tragjedinë e shekullit 16, krimi po ndodh brenda familjes. Deputeti kanoset nga brenda radhëve të të majtës që qeveris, brenda të të njëjtës familje socialiste, nga miku më i afërt i kryeministrit që ishte deri dje edhe mik i deputetit të kanosur. Ka edhe një lidhje tjetër kaq të afërt me tragjedinë e lashtë: Atentatori i denoncuar është kryetar i Bashkisë së Kavajës, i akuzuar për krime. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar me alert të veçantë. Edhe në tragjedinë e vjetër, vëllai vrasës ishte pikasur përtej mureve të kështjellës, por nuk ishte ndaluar para se të bënte krimin. Edhe në këtë rast, në përshkrimin e aktit kriminal ka marramendje (drogë), intrigë dhe femër. Droga është objekti për të cilin është prezumuar si trafikant vetë kryetari i Bashkisë që kërcënon deputetin. Intriga është marrëdhënia politike e Ben Blushit, deputet, me kryeministrin Rama. Blushi e ka akuzuar kryeministrin si shkelës të të drejtave politike dhe dhunues të demokracisë; dje e akuzoi edhe si frikacak. Rama e ka marrë këtë si një intrigë politike për t’i rrëmbyer pushtetin, ndaj edhe ka nxitur mikun e tij Roshi që të bëjë atentat në Kuvend. Ndërsa femra qëndron mes Roshit e Ramës (më saktë sythit të tij Veliaj). Roshi, për t’i ngjarë ekstravagancës së Rilindjes, kishte sajuar një “krim” me një grua të tij. U sajua sikur gruaja kishte qenë shtatzënë, por “ia kishin shqyer barkun me thika”. Veliaj, si velinë e Ramës, e përhapi lajmin në gjithë botën. Por gruaja e “tragjedisë” as ishte shtatzënë, as ishte prekur; vecc kishte fshehur nën fustan një jastek të marrë nga shtëpia e Roshit…
Ja këto janë ngjashmëritë. Dje në Kuvend nuk u vra njeri, por u paralajmërua krimi. I vetmi që u zu “rob” ishte Ilir Meta, kryetar i Kuvendit. Më duket sikur tani salla e Kuvendit ka këtë pamje:
Të gjithë kanë ikur në punët e tyre. I vetmi që ka mbetur aty është kryetari, Ilir Meta. Ky ka përpara një qefin që vërtitet nëpër sallë. Blushi e njoftoi e iku. Rama u zbulua nga qefini që kishte porositur vetë, dhe iku. Roshi që prezumohet si atentatori, nuk dihet ku ndodhet; ose i strehuar nga kryeministri, ose i braktisur prej tij…Jo thjesht një qefin ose një deputet i rrezikuar e bën rob Ilir Metën. Para tij ndodhet “qefini” shumë i madh, i stërnjohur si “Parlament i kriminalizuar”. Është i vetmi Parlament në botë që është shpallur “i kriminalizuar”, por megjithatë vazhdon të prodhojë ligje, vazhdon të krijojë qeverisje, vazhdon të kryejë vjedhje. Perëndimi, i cili u bë garant i të drejtës dhe sigurisë për jetën e shqiptarëve pas rënies së komunizmit, është shumë i shqetësuar. Amerika dhe Europa vijnë rrotull kështjellës së të Inkriminuarit, por pa mundur të hyjë brenda në “sallën e operacionit”.
U desh një kryetar Bashkie, shok i ngushtë i kryeministrit, i akuzuar që nga Amerika për krime, që të shpërthente në Kuvend “bombën” se krimi po rrezikon edhe vetë deputetët.
Tani puna është e Ilir Metës, kryetar.
Cili është rasti i tij?
1.
E para, të shpërndajë menjëherë Parlamentin. Që sot. Në qoftë se ai gjatë natës ka menduar që të largohet nga koalicioni qeveritar, atëherë sot qeveria bie dhe Parlamenti shpërndahet. Të paktën Shqipëria pushon së pasuri një Kuvend të kriminuar. Pas kësaj fillon ngjallja e një jete tjetër politike. Njerëzit që gabuan në masë me votën në zgjedhjet e fundit, marrin të drejtën që të korrigjojnë veten dhe votën. Sado pa shpresë që thuhet se është politika shqiptare, të paktën nuk do të kemi një Parlament të inkriminuar dhe një qeveri që nxit vrasjet politike, përgjimet, varfërinë dhe dhunën. Vetë Ilir Meta, si politikan i konsideruar i domosdoshëm, do të ketë shansin të thotë hapur kështu: “U ndodha në vendin e krimit. Ma vunë krimin përpara mu në tribunën e Kuvendit. Dhe nuk qëndrova në krim!” Edhe pse mund të rezervohet të thotë: “Ju shpëtova, miq!”
2.
E dyta, kur një deputet kërcënohet në sallën e Kuvendit, sa e sigurt mund të jetë jeta e njeriut të thjeshtë? Aspak. Si mund të shpërthejë krimi dhe hakmarrja?! Tmerr. Qeveria e majtë e ka përhapur krimin fillimisht jashtë sallës; ndërsa e majta enveriste e kishte përqëndruar në burgje… Është rasti kur Ilir Meta mund të shpëtojë të majtën nga një faj i madh që po mban mbi shpinë. Është hera e dytë kur e majta po bën krimin e krijimit të një fatkeqësie kombëtare. Edhe herën e parë, me Enver Hoxhën, i dha popullit “udhëheqësin e fortë”, por barbar e të pashpirt. Historia e tij u pagua shumë shtrenjtë. Kësaj here, Edi Rama është jashtë realitetit si një “udhëheqës i fortë”, por realisht i mbrapsht e i pashpirt. E majta, sigurisht, funksionon si militante, por pendesa do të jetë aq e thellë sa herën e parë… Ilir Meta, si një udhëheqës i partisë së majtë, ka rastin ta sjellë të majtën në vlerë. Veç duke e braktisur krimin, ose duke e shpërndarë Parlamentin…
3.
E treta, kryetari i Kuvendit ka rastin që sapo vjen nga një vizitë në Shtetet e Bashkuara. Dje ishte seanca e parë në Kuvend, pas vizitës. Sigurisht që edhe ky, në kundërsens me Ramën, ka rastin e një triku me vizitën në perandorinë e Madhe. Ky, së pari, duke shpërndarë Parlamentin dhe duke e futur vendin në një proces zgjidhjeje, këtë e “shet” si një dritë jeshile amerikane. E dyta, e paraqet si një forcë politike individuale të fituar nga vizita në institucionet e Amerikës. E treta, hedh poshtë gjithë insinuatën e kryeministrit se vizita e tij në Amerikë kishte vlerë edhe “për burgosjen e Metës”. Kur u kthye Rama nga Amerika, tha publikisht (si një njeri i papjekur) se “ju nuk e dini çfarë dosjeje kam marrë nga Shtëpia e Bardhë”. Në fakt kërcënoi direkt Berishën, por nënkuptoi Metën…
Njësoj si kërcënimi i Roshit për Blushin. Por në rastin e parë përdori fuqi të madhe, siç është Amerika. Ndaj Blushit përdori një kryetar bashkie në Kavajë.
Meta ndodhet i vetëm në sallën e Kuvendit….