Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka anuluar pjesëmarrjen e tij në takimin me Serbinë në Washington, të planifikuar më 27 qershor, pas ngritjes së akuzës nga Specialja.

Në një njoftim për media, Zyra e Presidencës ka bërë të ditur se Thaçi ka ndërprerë udhëtimin për në SHBA dhe nesër do të kthehet në Kosovë.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Richard Grenell, ka thënë se e mirëkupton vendimin e Thaçit dhe ka bërë të ditur se megjithatë takimi do të mbahet, me pjesëmarrjen e kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Presidenti i Kosovës sapo na ka njoftuar se ka anuluar udhëtimin për në Washington, pas njoftimit nga Zyra e Prokurorit Special. E respektoj vendimin e tij për të mos marrë pjesë në diskutime derisa të zgjidhen këto çështje. Presim diskutimet e së shtunës të cilat do të udhëhiqen nga presidenti Vuçiq dhe kryeministri Hoti”, ka shkruar ai në Twitter.

VERITAS.COM.AL/