Frrok Çupi/

Është një send i kotë të rrokonisesh me lajme mbi ‘Bashën’, mbi ‘Monikën’, mbi ‘Gridën’ e ‘Salijanin’. Edhe kur Salijanji qëlloi me grushte deputetin e ri Gjoni, dora i shkoi huq; sepse ishte i vetëm , i frikësuar, i kotë, i lënë… Jashtë parlamentit politikani është ‘njëshi zero e fyell/, njëshi send i kotë’- do të shkruante poeti Majakovski. Kur je jashtë parlamentit ‘edhe rëndësi po pate/ as drurin e thjeshtë pesë pëllëmbë s’e ngre dot’, do të shkruante më tej vetë poeti.

Tani ata nuk janë më, jo se nuk janë në këtë botë; por janë gjallesa pa vlerë politike. Pse merren me ta nëpër lajme që nga mëngjesi deri në mbrëmje?,  çuditem me disa media injorante e pa vlerë. Kur nuk përfaqëson më shumë se veten, je vetëm ‘një’ si njëshi i Majakovskit, ‘një zero e fyell, një si send i kotë’. Ata ishin përfaqësues të demokracisë, por tani nuk janë më; tani janë ‘isha’. Ikën, ikën si zogjtë shtegtarë që kërkojnë brigje, fole, vise të fshehta dhe pa kthim pas.

Tani në vend të tyre kanë ardhur të rinj. Kombi është fole më e madhe se foleja e zogjve shtegtarë, dhe kombi nxjerr pa pushim përfaqësues të rinj, mendarë të rinj, gojëtarë  dhe ligjtarë të vlefshëm. Nuk është dashur më shumë se 40 ditë kohë që qytetërimi perëndimor të njohë ‘mendarët dhe ligjtarët’ e rinj të Shqipërisë. Parlamenti po plotësohet ditë pas dite, ndërsa ‘shtegtarët’ vijnë rrotull.

Në sulmin e fundit të dhunshëm që kryen ‘ishat’ kundër mureve të Parlamentit dhe kundër paqes qytetare, asnjë sinjal nuk ra përdhe. Ata pritën të flasë Amerika ose Europa, madje pritën të thonë si më parë se ‘dënojmë dhunën’, por ata hiç. ‘Bëni çfarë të doni, isha!’… Këtu ‘ishat’ pushuan edhe dhunën, nuk kanë dalë  dje sipas radhës në dhunë. Po të kishin thënë gjë BE dhe Europa kundër tyre, atëherë do të dukej sikur ‘ishat’ ekzistojnë përsëri për botën politike… Por heshtje; ata nuk janë më.

I dërguari i Këshillit të Europës në Tiranë, Luiggi Soreca, deklaroi se Europa po pret që ‘opozita e re parlamentare të hyjë në zgjedhjet e 30 qershorit’. Shtetet e Bashkuara përmes ambasadës në Tiranë tha sot se çmon “hapat konstruktivë të opozitës në parlament dje’.

Opozita e re Parlamentare është strukturuar, ka zgjedhur edhe dy kryetarët e dy grupeve parlamentare: PD dhe LSI. Tani jo vetëm emra si ‘Monika’ e ‘Luli’ janë kthyer në ‘isha’; por edhe klikat e tyre nuk janë më: PD dhe LSI e tyre quhen ‘isha’, dmth., tani kemi PD dhe ‘ish PD’; ose ‘LSI dhe ‘ish LSI’.

Kryetarja e grupit të PD, zonja Rudina Hajdari, ka deklaruar dje në Parlament se do të marrin pjesë në zgjedhje, vendi nga ku ka rebeluar ‘ish- PD’. Ndërsa sot kryetarja e Grupit të PD- së së gjallë, deklaroi se ‘grupi i krijuar është tërësisht në përputhje me rregulloren e Kuvendit, ligjet dhe Kushtetutën e Shqipërisë’. Të ikurit janë plotësisht jashtë Kushtetutës, veçse si individë të lirë,asgjë më shumë. Zonja Hajdari thotë se ‘bashkë me Myslim Murrizin vijojnë të jenë pjesë e grupit Parlamentar të PD-së, i cili u shkri kur PD vendosi të lërë mandatet’. Njësoj si në pranverë, kur ‘u shkri bora majave’; a mund të thuash më se ‘mali ka borë’.

Kështu ndodhi në këtë dimër duke pritur pranverën: Zogjtë fluturuan nga foletë dhe bora shkriu majave. Ata janë ‘isha’, mund të na lënë të shijojmë stinën e paqes me veten tonë të gjallë.

Veritas.com.al/