Prokuroria ka firmosur urdhër-arresti për kryetarin e shkarkuar tashmë të Bashkisë Vorë Agim Kajmaku. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se policia ka shkuar në banesën e Kajmakut por nuk e ka gjetur.
Agim Kajmaku u zgjodh kryetar i bashkisë Vorë më 30 qershor por pas denoncimit nga PD se kishte shkelur ligjin e dekriminalizimit nisën edhe hetimet nga prokuroria, e cila i dha të drejtë opozitës. Kajmaku kishte fshehur një dënim në Greqi ku figuronte me emër tjetër. Më 1 nëntor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi ta shkarkojë nga detyra Kajmakun, në mënyrë unanime me 5 vota pro.
Kryebashkiaku Kajmaku u akuzua nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e Dekriminalizimit.
Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person.
Fillimisht Agim Kajmaku i mohoi akuzat e opozitës, duke thënë se nuk ishte arrestuar asnjëherë, por pas konfirmimit nga Prokuroria, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e ka ditur për dënimin në vendin fqinj.
Agim Kajmaku është kryebashkiaku i dytë i PS, i zgjedhur më 30 qershor, që largohet nga detyra pas akuzave të opozitës, pasi i pari ishte Valdrin Pjetri i Shkodrës, i cili dha dorëheqjen pasi u akuzua nga opozita se ishte dënuar në Itali për trafik droge, ndërkohë që rrezikon arrestimin për shkak të shkeljes së ligjit të dekriminalizimit.
VERITAS.COM.AL/