Frrok Çupi/

Duket se të 28 liderët “liberalë” të BE u shpartalluan sapo dolën nga salla e një pallati të vjetër dhe elegant të stilit Venecian në Valletta. (Ose qëkur erdhën ishin në këtë gjendje). Asnjëri me njërin “nuk u puqën” më- siç thuhet në nëndialektin tosk. Jo se “nuk u puçën” për kafe, por të gjithë vepruan ndryshe nga sa u tha në samitin Europian me temë “si të shpëtojmë BE pas ardhjes së Trump dhe pas Brexit”.

Hija e Trump i bashkoi në një qëndrim “të imponuar” në grup. Por veç sa për seancat e Samitit në sallë. Pastaj?….

Presidenti i Këshillit të Europës, ish- kryeministër në Poloni dhe udhëheqës i një lëvizjeje Civile majtiste, Donaldf Tusk, foli me emocion të lartë: Do ta bëjmë të qartë“si kristali se desintegrimi i Bashkimit Europian nuk do të fitojë mbi integrimin”, duke përkëdhelur sedrën e disa shteteve si “mitike” dhe “sovrane”, por pa veçuar emra. Presidenti i KE, pak më parë kishte deklaruar se “dy rreziqe” ndodhen përpara: Brexit dhe Trump! Thuajse të gjithë anëtarët e Samitit, dmth., 28 liderët e BE, (jo 28 liderë, në fakt) folën nën hijen e Trump. Megjithatë, “rreziku i madh Trump” nuk mjaftoi që t’i bashkojë liderët liberalë. Siç pranuan edhe vetë, stuhia e lëvizjes “populiste” të djathtë po vërshon në gjithë Europën.

Sapo liderët lanë Samitin, asnjëri  me tjetrin nuk u panë më. Domethënë asgjë nga ato që u tha në ishullin e vogël të Maltës, nuk u mbajt mend. Si në një betejë të humbur.

Ja çfarë ndodhi:

1.

Krerët e shteteve anëtare të BE nuk janë më 28, pavarësisht se ashtu u tha në Samit si për të ngushëlluar veten. Zonja Theresa May e Britanisë, që nuk është më anëtare, nuk kishte pikë ndjeshmërie nga tribuna ku përmendej emri i saj. Britania e Madhe e ka lënë Europën dhe pritet që të tjerë anëtarë ta lënë BE-në.

2.

Kancelarja e Gjermanisë, Merkel, i kishte ulur shumë tonet anti- Trump. Kur të gjithë prisnin “buçimat” e saj, ajo tha se “fati i BE është në duart tona” duke e separatuar këtë nga “rreziku” Trump- siç po e  paketojnë  europianët fatin e keq. Merkel, sapo la Samitin, zbriti në Munih të Gjermanisë dhe deklaroi  se “kërkojmë terren të përbashkët me Trump, kudo që të jetë e mundur”.

3.

Letonia, menjëherë ditën pas Samitit që “do të gozhdonte” politikat e Trump-it edhe për emigracionin, shpalli se po ndërton murin kundër refugjatëve- sipas modelit të Trump dhe Orban. “Ndërtuam 23 kilometra mur- deklaroi Letonia- kemi edhe 193 kilometra për të bërë” gjithësejt deri më 2019- deklaroi Letonia.

4.

Ndoshta liderët e Italisë, Francës dhe Portugalisë ishin rrugës duke u kthyer nga shteti i vogël fqinj me ta, Malta, kur ministri gjerman i Financave dhe arkitekt i recesioneve, Schaeuble, thas se këto tre  shtete rrezikohen seriozisht nga deficiti buxhetor; dmth., nuk kanë buxhet, por deklarojnë buxhet. Tipike alias “liberale”, si Greqia!

5.

Presidenti i Rumanisë Klaus Iohannis tha se “situata në Rumani është e pasigurt”. Prej gjashtë ditësh në Rumani zhvillohet protesta më e madhe që nga rënia e diktatorit komunist, Caushesku. Edhe pse qeveria e majtë bëri një tërheqje, protestuesit nuk largohen nga protestat para se të bjerë qeveria. Presidenti mund të largohet nga Samiti i “sigurisë” së liberalëve europian, por e gjen vendin e vet në kaos.

6.

Samiti mori vetëm një fjalë të përbashkët: Festa e 60 vjetorit të BE që do të mbahet në Maj në Romë. Tipike për liderët liberalë: këta kanë festë dhe  “tingëllimë”, por nuk kanë substancë lidhjeje me popujt e tyre. Ky është edhe shkaku pse popujt nuk besojnë më te elitat liberale të Evropës. Për festën e 60 vjetorit të BE, zonja Merkel ka propozuar një zgjidhje: Europa të ndahet në dy pjesë (ajo tha në “dy shpejtësi”). Megjithatë ka një demagogji për “prurjet dhe pranimet e reja” në BE. Liderët e vendeve aspirante për në Europë, si Shqipëria, bëjnë demagogji tjetër; as thonë se në cilën “shpejtësi” të Evropës pret vendi ynë të jetë. “Në korsinë e dytë?” apo në asnjërën?

Samiti për forcimin e Europës liberale përballë Donald Trump u shpërnda pa një “foto të përbashkët”. Vetëm me disa përshtypje të lehta që dëshmojnë se edhe kur ishin të gjithë në sallë, në fakt nuk ishin së bashku:

Presidenti i BE, Jean-Claude Juncker, iu dha zemër shokëve: “Jo- tha ai,- nuk ndjej rrezik nga Trump- veçse e këshilloj të njohë më mirë BE”…. Disa takime liderësh, të planifikuara, mbetën pa u zhvilluar. E vetmja, Merkel që erdhi në kohë në takime. Por kur erdhi zonja Theresa May tha se “nuk kam gjë për të thënë”. Ajo nuk caktoi ndonjë “prag” ose afat kur do të zbatohet Artikulli 50 i Lisbonës për Brexit, megjithëse këtë priste Samiti. .. Edhe Francios Holande i Francës që pritej të fliste mbi eksperiencën e tij në bisedë me Trump, nuk gjeti rast. Korrespondenti i Samitit për mediat evropiane la për të nënkuptuar se ishte parashikuar të flisnin së bashku (Holande me Merkel) për të njëjtën çështje; por nuk u gjetën në kohë…. Theresa May i zhvilloi takimet dypalëshe me kancelarin  austriak Kern dhe kryeministrin spanjoll Mariano Rajoy; por nuk mundi të zhvillonte takimin me kryeministrin grek Alexis Tsipras. Lideri grek- se nga kishte dalë “në ishull”!,  dhe erdhi shumë vonë për takimin, mbasi kishin ikur kamerat dhe ata e lanë pa bërë takimin, por pa bërë edhe koment.

… Ky ishte samiti i liderëve të Europës me temën “si të forcojmë Europën liberale” përballë Donald Trump dhe Brexit. Takimi ishte në një ishull në jug të Italisë, në qytetin Valletta; lehtësisht mund të quhej edhe “Vaterlo” për shkak jo vetëm të tingëllimit të afër, por për shkak të shpartallimit të liberalëve.

/Veritas.com.al/