Kandidati i Bashkë Fitojmë, Fredi Beleri do të qëndrojë në burg. Është ky vendimi i gjykatës së Vlorës, për kandidatin e koalicionit Bashkë Fitojmë për Bashkinë e Himarës.
Fredi Beleri u arrestua dy ditë më parë, me akuzën e shit blerjes së votës. Mbi këtë akuzë, trupi gjykues ka shpallur moskopetencë duke ia kaluar dosjen nga Belerit Prokurorisë së Posaçme.
Seancën e sotme në gjykatën e Vlorës, ishte e pranishme edhe ambasadorja greke e akredituar në vendin tonë.
Arrestimi i Belerit u bë me urdhër të Prokurorisë së Vlorës pas një procedimi të nisur për veprën korrupsion aktiv në zgjedhje në bashkëpunim.
Beleri u ndalua në lokalin e tij në shëtitoren e Himarës. Ai ndodhej bashkë me tre persona të tjerë, mes të cilëve edhe avokati i tij. Bashkë me Belerin u vu në pranga edhe Pano Kokoveshi, njëri prej shoqëruesve të kandidatit për kryetar bashkie në Himarë.
Sipas organit të akuzës, në bashkëpunim me persona të tjerë, Beleri u ka premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës. Burime nga grupi hetimor thanë për ABC News se kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ është përgjuar nga hetuesit teksa bisedonte për shit-blerje votash.
Mësohet se në një nga rastet bëhet fjalë për dhënien e një shume prej 40 mijë lekësh për sigurimin e 8 votave. Por avokati i kandidatit të opozitës për Himarën Fredi Belerit tha se paratë e sekuestruara nuk kanë lidhje me kandidatin për kryetar bashkie për Himarën. Ai ka thënë se ato janë të një personi tjetër.
Pak ditë më parë, një tjetër person ka denoncuar në SPAK se kishte komunikuar me Belerin, i cili i kishte premtuar që nëpërmjet parave t’i siguronte vota në favor të tij. Pas këtij denoncimi, agjentë të Prokurorisë së Posaçme e kanë mbajtur Belerin nën përgjim.