Kryeministri Edi Rama teksa iu drejtuan disa pyetje në lidhje me debatet që kanë shoqëruar dje Kryesinë e PS-së, u tregua i prerë ndërsa shtoi se kush ka kontestuar nuk është pjesë e listave për deputetë.

Kreu i qeverisë theksoi se ish-ministri Fatmir Xhafaj, i cili renditet i 23-ti në listën e Tiranës, e kishte pritur mirë këtë pozicionim.

“Kush është në listë, nuk ka kontestuar. Kush ka kontestuar nuk është në listë. Kaq e thjeshtë është. Ndërsa diskutim patjetër që është bërë. Ne nuk u mblodhëm për të dhënë konferencë shtypi. Diskutim ka pasur. Edhe një herë tjetër, janë gjera të ndryshme, Bushati e Xhafaj në këtë teatër mediatik. Xhafaj nuk ka kontestuar asgjë. Ka thënë qartësisht me dinjitet; “Do të marrë përsipër këtë sfidë”. Ka bërë një diskutim normal duke pyetur për logjikën e gjithë gjerat. Erioni ka dhënë shpjegimet dhe ajo që ka qenë e rëndësishme është se dje është përçuar pikërisht gjithë logjika e kësaj skuadre. Logjika e skuadrës së PD është; ‘konservo fosilet’. E LSI: ‘Mblidh të rinj dhe fut në mes viktimat e SPAK dhe të OFL’. Logjika e skuadrës sonë është; “Fuqia e vetë ndryshimit që të ndryshojmë veten në mënyrë të vazhdueshme, për të qenë të denjë për ata që na votojnë, sa të mundemi!”. Ne jemi njerëz që ju dëgjojnë, ju kuptojnë. Është një vullnet e qasje tjetër. Një parti që ka në qeveri që në 2013 nuk mund t pres që të plaket duke hapur muzeumin deri sa të vijnë ta marrin me shkelma nga zyra. Por që të reflektosh, duhet të njohësh shoqërinë, jo të rrish të flesh gjumë. E të vijë urdhri nga Lalëzi; “bëj këtë, bëj atë”. Nuk funksionon! Kjo është e gjitha. Diskutimet janë gjëja më normale. Më imagjinoni ju mua që të jem njeri që kam frikë debatin, përkundrazi është një nga burimet më të pasura të adrenalinës time.”, tha Rama.
VERITAS.COM.AL/