Lobimi me vlerë 6 milionë dollarë i Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u diskutua në studion e Off-Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Dashamir Shehi nga koalicioni Djathtas për Zhvillim i bën thirrje administratës amerikane për ndalimin e këtyre lobimeve në vendet e varfëra dhe të vogla sikurse Shqipëria, pasi sipas tij i “rropën popujt e vet”.

Në Off the Record me Andrea Dangllin, Shehi thekson gjithashtu që nëse këto para PD do t’i hidhte për fushatë, do ta ngrinte atë me 6%.

“Paskan harxhuar paret kor po t’i kishin hedh te fushata e PD do e ngrinin 6%. Unë do t’i bëja thirrje administratës amerikane dhe presidentit, nëse na dëgjojnë në cepin e botës; Ta ndalojnë këtë punë  e lobingjeve për vendet e vogla dhe të varfëra, se i rropën popujt e vet se nuk është vetëm PD që lobon, është e PS dhe ca parti të vogla. Kemi 20 vjet që lobohet merren paret haptas e mbylltas, ca me kontrata e ca pa kontrata. Nuk mund ta blejnë imazhin e Amerikës se është shëmtuar për Amerikën vet. Ata zotërinjtë që e kanë në dorë këtë punë, të bëjnë një ligj që për vendet vogla dhe ato që kanë GDP siç e kemi ne; nën 7 mijë dollarë për frymë të ndalohet lobingu për çështje politike. Unë uroj që të mos jetë i vërtetë si lajm, se do ishte e turpshme nga ana morale. Nga ana pragmatike ti kishin hedh në fushatë”.

Për Redi Muçin nga Lëvizja Bashkë, lobimi prej 6 milionë eurosh në SHBA nuk dëshmon patriotizmin e shqiptarëve sikurse pretendon Partia Demokratike, por kapjen e saj.

“Të dy partitë e vjetra e kanë të lidhur ekzistencën e tyre nga oligarkia ekonomike. Të thuash 6 milionë dollarë nga patriotët shqiptarë është qesharake, shuma më e madhe që mund të japë një patriot është 10 mijë diollarë. Nuk dëshmon patriotizmin e shqiptarëve, por dëshmon kapjen e PD për të bërë një gjë kaq kot. Qesharake. Në vend të që japin zgjidhje për problemet e shqiptarëve”, tha ai në Off the Record me Andrea Dangllin.

Të njëtin mendim ndan edhe Endri Hasa nga Koalicioni Euroatlantik, i cili e quan absurd këtë lobim, i cili sipas tij nuk ka të bëjë me hallet e shqiptarëve, por me hallet personale të non-gratave. Ai u bën thirrje shqiptarëve që t’i largojnë me votë.

“Askush nuk e vret mendjen për hallet e shqiptarëve. Të gjithë kërkojnë votën për hallet që kanë me drejtësinë dhe SPAK-un. Me duket absurde që të paguhen 6 mln dollarë për të lobuar. Nuk e di për çfarë? Për ca halle personale që kanë non gratat. Shqiptarët të hedhin në kosh këta dhe fundin t’ua japin shqiptarët me votë”. (A2 Televizion)

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *