5 vite pasi u largua nga drejtimi i LSI-së për të marrë postin e presidentit të vendit, Ilir Meta i është rikthyer sot sërish jetës aktive politike, edhe pse në fakt nuk mund të thuhet se këtë nuk e bërë në 5 vitet e tij në Presidencë, ku do të duhej të ishte ‘uniteti i kombit’, pa anësi politike. Ilir Meta doli në një deklaratë për mediat nga Selia e LSI ku njoftoi se ka rimarrë kartën e partisë. Ai tha se është rikthyer për të shpëtuar integrimin evropian, ndërsa theksoi se do të punojë për të rikthyer referendumet në Shqipëri dhe fuqia do t’i rikthehet popullit. Madje Meta u shpreh se referendumet do të jenë si ‘shpata e Demokleut’ mbi kokën e çdo tradhtari të shqiptarëve sipas tij.
‘Drejtimin e LSI e lashë me vullnet të lirë para 5 viteve për arsye të rrethanave, që u krijuan në vend. Nuk u riktheva sot për të rimarrë drejtimin e kësaj partie, por për të sjellë mesazhin e popullit të 2 marsit. Partia e referendumit na pret! Kjo zgjidh çdo problem, nga oligarkët te kapja e shtetit. Referendumi do të jetë “Shpata e Demokleut” mbi të gjithë ata që abuzojnë me besimin e popullit të Shqipërisë dhe mbi Esad Pashët e rinj, që kanë tradhëtuar interesin kombëtar dhe i kanë ngulur thika pas shpine Kosovës”, shkruan Meta. .
Në një postim në rrjetet sociale, Meta ka publikuar një foto mëngjesin e sotëm me Kryemadhin, ku shkruan: ‘Një horizont i ri plot dritë dhe shpresë.’
Lëvizja Socialiste për Integrim mban sot në orën 19:00 në Pallatin e Kongreseve, Konventën Kombëtare, një event i rëndësishëm politik për këtë parti, ndërsa ish-kryetari Ilir Meta do ta shfrytëzojë konventën për një mesazh mbështetësve të tij. Konventa e LSI do të jetë politike, dhe jo zgjedhore. Fjalime do të mbajnë përveç Metës, edhe figurat qendrore të kësaj force politike. Pas saj, pritet që të zhvillohen zgjedhjet që do të ngjisin sërish në krye themeluesin e kësaj force politike, që siç Report Tv ka mësuar përmes burimeve Ilir Meta mund t’i ndryshojë edhe emrin.
Ilir Meta prej kohësh kishte paralajmëruar se do të rikthehej në politikën aktive të vendit duke shprehur haptazi se nuk ishte dakord me politikat e ndjekura nga mazhoranca, ndërsa në rolin e kreut të shtetit shpesh herë ka luajtur edhe rolin e opozitës.
Gjatë fundit të mandatit të tij në krye të shtetit, Meta është përplasur vazhdimisht me mazhorancën, e cila madje ndërmori dy herë votimin për shkarkimin e tij nga posti i presidentit. Në qershor të vitit të kaluar Kuvendi votoi për shkarkimin e Metës si president, por Gjykata Kushtetuese vendosi kundër vendimit të marrë.