Dita 34-të e luftës…, nisën negociatat për paqe në Stamboll mes Kievit dhe Moskës, të cilat do të vazhdojnë edhe nesër. Në bisedime ishte i pranishëm edhe presidenti turk Erdogan dhe oligarku rus, Abramovich. Vetë Erdogan tha para dy delegacioneve që priten që në këto negociata të ketë rezultate konkrete dhe se vazhdimi i konfliktit nuk i sjell dobi askujt.
“Në një moment kaq kritik, ne jemi të kënaqur t’ju mirëpresim dhe të kontribuojmë në përpjekjet tuaja për të vendosur paqen,” thotë ai, duke shtuar “Uroj që takimet dhe diskutimet tona të jenë të favorshme për vendet tuaja, rajonin tonë dhe mbarë njerëzimin”.
Ai ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe thotë se ndalimi i tragjedisë varet nga të dyja palët.
Edhe presidenti Zelensky tha më herët se ishte i gatshëm të diskutonte neutralitetin e vendit pa hequr dorë nga integriteti territorial. Ndërsa Rusia, sipas një projektmarrëveshjeje të zbuluar nga Financial Times, do të ishte e gatshme të hiqte dorë, ndër të tjera, për “denazifikimin” e Ukrainës dhe hyrjen e Kievit në BE, por që të mbetet e paangazhuar ushtarakisht.
Nga ana tjetër zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, tha se Rusia nuk do sulmoj asnjë vend të NATO-s dhe nuk do të përdor armë bërthamore, por i hodhi fajin për situatën zgjerimit të NATO-s drejt lindjes duke thënë se “e la Rusinë në qoshe”.
Përplasjet kanë vijuar në retorikë mes Biden dhe Putin. Presidenti amerikan e etiketoi përsëri Vladimir Putinin ‘diktator’, ndërsa Kremlini tha këto fjalë ishin “mjaft alarmante” dhe konsiderohen “fyerje personale”.
Ukrainasit duken më optimist me trupat që po rifitojnë territorin dhe po largojnë rusët nga Kievi, sipas asaj që presidenti Zelensky thotë.
“Mbrojtësit tanë po përparojnë në rajonin e Kievit, duke rifituar kontrollin mbi territorin ukrainas. Irpin u çlirua. Bravo! Unë u jam mirënjohës të gjithëve që punuan për këtë rezultat,” u shpreh ai.
Në Melitopol, pushtuesit rusë rrëmbyen kreun e departamentit të arsimit të Këshillit Bashkiak të Melitopolit, Irina Shcherbak, siç njoftoi Kryetari i Melitopolit, Ivan Fedorov. E ndërsa rusët goditën me anë të një sulmi kibernetik ofruesin e madh të internetit dhe linjave telefonike në Ukrainë “Ukrtelecom”.