Nga: Laert Skiro/

Edhe sonte po bie mbrëmja. Njësoj siç po ulet perdja e muzgut të një dite të kthjellët e të ftohtë, ashtu ka rënë perdja e ‘luftës’ së nisur për të djegur gjithçka del përpara.

Njerëzit janë mbushur me frikë në zemër. Gjatë periudhës kur popujt tanë fqinjë kishin shëndetësuar plagët e djegies së regjit komunist diktatorial, populli ynë u ngatërrua nëpër djegie të reja- ku e shtynë komunistët anti- komunistë. U dogj vendi vetëm 5 vjet pasi nisi epoka e ‘Liri- Demoklraci’ në vitin 1997, u vranë rreth 300 vetë; u dogj përsëri në vitin 1998; u vra një lider, dy e tre liderë- secili sipas peshës së vet quhej lider…

Njeriu këtu nuk ka pasur kurrë kohë të mendojë për melhemin e plagëve, veç për barutin e  ri të luftës që vjen. Para pak ditësh, në 16 shkurt, nisi një luftë tjetër. Kësaj here ‘zjarrvënësit’ janë betuar se do të djegin gjithçka. Të paktën kështu është perceptuar nga njerëzit, fëmijët, gratë e burrat.

‘E drejta’ për ta djegur vendin kësaj here ishte shumë më e madhe se dy a tre herët e para: Klasa politike zjarrvënëse ‘ashtu- ashtu’ ndodhet në fundin e saj. Nuk ka më shanse të tjerë për ta djegur vendin nëse nuk e djeg tani. Edhe një akt aq ligjor e kushtetues që është ‘lënia e mandatit’, klasa e kodifikoi me ‘djegie’ dhe tha ‘dogjëm’ mandatet. Pas kësaj gjithë djegien…

Aleatët perëndimorë i dolën zot popullit shqiptar dhe iu luten politikanëve ‘ndryshoni udhë’. Pastaj iu luten deputetëve ‘Injoroni kërcënimet e djajve në krye të PD dhe LSI’ që po kërkojnë vdekjen e vendit…

Askush nuk dëgjoi.

Megjithatë lufta shuhet edhe kur nuk dëgjojnë zjarrvënësit. Sonte u provua;  nata ra si një tis qetësie. Dje thanë se ishte e diele, prandaj ‘nuk po e djegin’ , por meqë edhe sot nuk e tundën bishtin, do të thotë se nuk munden më.

Një delegacion i PD me kryetarin në krye u kthye nga Austria e Franc Jozefit dhe, ndërsa rrugës lëshoi bubullima, këtu u bë  ‘zog push- verdhë’. Sot gjithë ditën ka marrë e dhenë fjala për ta mbajtur makinën e tij të dhunës sikur po punon, por në fakt duket e vdekur. Edhe përfundimet e mbledhjes së aleatëve të PD i dha një dytësor e tretësor që dallohet për barcaleta. Europën dhe Amerikën po i sulmojnë disa liderë të dorës së dytë e të tretë.

Presidenti i Republikës- që është faktori kryesor i luftënxitës- nuk pranoi të fliste më për situatën, i pyetur nga gazetarët. Deputetët më karagjozë të luftënxitjes u urdhëruan nga lordi që të fshihen.

Ka rënë paqja, këta nuk mund të dhunojnë më këtë popull që në fund nuk iu përket Lulit e Monës. Besoj se secili bir e bijë nëne ka babanë dhe nënë  e vet- nuk e varin jetën te këta që ua kërcënojnë, ua prishin cilësisht dhe mund t’ua djegin. Njeriu këtu nuk është më ‘berri partiak’ por është njeriu planetar.

VERITAS.COM.AL/