Lufta e brendshme brenda PD-së u reflektua edhe në Kuvendin e Shqipërisë, ku deputetët e përjashtuar nga grupi i PD-së, mbështetës të Sali Berishës sulmuan kryetarin e partisë së tyre Lulzim Basha. Në nisje të seancës, njëzëri, Edmond Spaho, Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi si edhe Flamur Noka kanë dalë kundër përjashtimit të tyre, duke kërkuar që Kuvendi të mos marrë parasysh dokumentet e sjella nga PD-ja për përjashtimin e tyre.
Në përgjigje të tyre, kryetarja e parlamentit, Lindita Nikolla tha se nuk interpreton vendimmarrjet politike të grupit më të madh opozitar.
“Nuk interpretojnë vendimmarrjet politike dhe grupi më i madh i opozitës është ai i PD, që ka zgjedhur që të ketë kryetar të saj Enkelejd Alibeaj që ka zgjedhur që të mos ketë këtë numër deputetësh në përbërje të saj”, tha Nikolla në përgjigje të tyre.
Ka qenë deputeti Edmond Spaho ai mori fjalën fillimisht në këtë senancë, duke kundërshtuar vendimin e Partisë Demokratike për të përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike katër deputetë që kanë dalë në mbështetje të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Në fjalën e tij, Spaho theksoi se nuk e kishte menduar se do të vinte një ditë urdhëri që Lulzim Basha do të sillte kohën e diktaturës, duke iu referuar përjashtimit të tij nga grupi i parlamentar i kësaj partie.
Ai tha se nuk e përjashton dot Basha nga partia, sipas tij, njeriu që futi kriminelë në selinë e PD-së dhe qëlloi më gaz lotsjellës mbështetësit e kësaj force politike.
Pas Spahos, reaguan edhe deputetët Oerd Bylykbashi dhe Flamur Noka, të cilët kundërshtuan vendimin për përjashtimin nga grupi parlamentar i PD-së.
Bylykbashi, duke iu referuar rregullores, tha se deputeti largohet me dëshirën e tij nga grupi parlamentar.