Tarifat e reja gjithëpërfshirëse të presidentit të SHBA-së, Donald Trump ndaj vendeve anembanë botës kanë hyrë në fuqi të enjten, duke përshkallëzuar luftën e tij tregtare.
Miliarda dollarë nga tarifat po rrjedhin tani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Trump në mediat sociale, pak minuta para afatit të mesnatës në Uashington, raporton BBC.
Më parë, presidenti e ka goditur Indinë me një tarifë prej 50%, e cila do të hyjë në fuqi më 27 gusht, përveç nëse ajo ndalon blerjen e naftës ruse.
Trumpi ka kërcënuar gjithashtu me një tarifë 100% për çipat kompjuterikë të prodhuar jashtë vendit, teksa po i shtyn firmat e teknologjisë të investojnë në SHBA. Kjo ka ndodhur në kohën kur Apple njoftoi një investim të ri amerikan prej 100 miliardë dollarësh pasi u vu nën presion nga Shtëpia e Bardhë për të zhvendosur më shumë prodhim në Amerikë. Javën e kaluar, administrata Trump ka njoftuar një listë të rishikuar të taksave të importit për dhjetëra partnerë tregtarë dhe ka zgjatur afatin për vendet që të arrijnë marrëveshje me SHBA-në deri më 7 gusht.
Vendet kanë qenë në garë për të arritur marrëveshje me Uashingtonin, për të ulur ose hequr atë që Trumpi e quan “tarifë reciproke”.
Politikat e tij tregtare synojnë riformësimin e sistemit global tregtar, të cilin ai e sheh si trajtim të padrejtë të SHBA-së. Ekonomitë e varura nga eksporti në Azinë Juglindore janë ndër më të goditurat nga tarifat e reja. Laosi dhe Birmania, të përqendruara në prodhim, u përballën me disa nga taksat më të larta prej 40%.
Disa ekspertë kanë thënë se Trumpi duket se ka synuar vendet me lidhje të ngushta tregtare me Kinën.
Disa ekonomi të mëdha, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Japoninë dhe Korenë e Jugut kanë arritur tashmë marrëveshje për të marrë tarifa më të ulëta se sa kërcënuar Trumpi në prill.
Komente