Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla ka thërritur mbledhje kryesie me kryetarët e grupeve parlamentare për t’i vënë në dispozicion dosjen e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit te Shtetit.
Aty flitet se një person me profil të lartë politik i identifikuar me inicialet I.M., rezulton të ketë qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. Burime për Report Tv bëjnë me dije Nikolla do takojë kryetarët e grupeve parlamentare veçmas në orare të ndryshme.
Deri në këto momente, ka zhvilluar takimin me Taulant Ballën e PS. Ndërkohë pritet të takojë edhe Enkelejd Alibeajn dhe Fatmir Mediun. Autoriteti i Dosjeve kërkon ndryshimin e ligjit për të verifikuar edhe politikanët e lartë që dolën të pastër nga dy Komisionet në vitet ’90.
Një ditë më parë, Bordi i Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit te Shtetit, i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë të ndryshoj ligjin mbi dosjet në vend, për shkak se favorizon politikanët e lartë dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të cilët nuk ndëshkohen nga të qenit bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe akoma më keq mbrohen me një klauzolë të veçantë, nëse kanë kaluar “filtrin” e atij që quhej Komisioni Mezini dhe me pas Bezhani pas vitit 1997.
Kjo klauzolë, duket se është vendosur qëllimshëm për t’i dhënë legjitimitet mos kontrollit të hollësishëm të dosjeve dhe mbrojtjen e shumë politikanëve të lartë që kanë qenë pjesë e strukturave bashkëpunuese me Sigurimin e Shtetit. Disa media aludojnë se bëhet fjalë për Ilir Metën pasi inicialet korrespondojnë, megjithëse nuk ka ende asnjë konfirmim.
Për zbulimin e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit te Shtetit ka reaguar edhe bashkëpunëtori i Ilir Metës, Tedi Blushi duke thënë se kanë merakun e patronazhistëve të komunizmit dhe i kërkoi që të nxjerrin çdo dokument në mënyrë që të jenë sa më transparentë. Ende nuk eshte bere publik identiteti i plotë i politikanit me inicialet I.M., por reagimi i Blushit, ish këshilltar i Metës në presidencë dhe tashmë bashkëpunëtor në Partinë e Lirisë shton dyshimet se mund të jetë Ilir Meta.