Ish-kryeministri Pandeli Majko hedh i pari hapin drejt një divorci të mundshëm të PS-së me LSI-në.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Majko thotë se PS duhet të marrë një vendim për koalicionin, pasi nuk mund të vazhdohet më me intriga.

Sipas tij koalicioni qeverisës po përjeton tensione të brendshme, gjë që u bë më e dukshme gjatë diskutimit të reformës së drejtësisë.

Duke pohuar se ka tendenca nga ana e LSI-së për një afrim me Partinë Demokratike, deputeti socialist thotë se këto lëvizje nuk duhen gjykuar negativisht.

Partia Socialiste, thotë ai, në marrëdhënie me partnerët në koalicion, ka për detyrë të diktojë tonin e qeverisjes, larg aludimeve, larg akuzave, apo intrigave, por me diskutim të hapur e transparent.

E ardhmja e kësaj qeverisjeje, thotë ai, nuk është një histori sallonesh, por një diskutim serioz që t’i shërbejë mbarëvajtjes së qeverisjes, si dhe reformave në pritje, përfshirë reformën zgjedhore.

Nëse marrëdhënia PS-LSI vazhdon përmes deklaratave, dhe në distancë nga njëra-tjetra, do të bëhet e nevojshme marrja e një vendimi për partneritetin e palëve në koalicion, shprehet ish-kryeministri.
Deklaratat e Majkos vijnë disa ditë pas miratimit të reformës në drejtësi, e cila duket sikur edhe fashiti konfliktet brenda koalicionit, por me sa duket pritet që stina politike në vjeshtë të jetë tejet e nxehtë.