Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov ka vendosur të mos e dekretojë Marrëveshjen për emrin “Maqedonia e Veriut” të arritur mes qeverive të Maqedonisë dhe Greqisë.

Presidenti ka shkruar se në kryerje të funksionit të Presidentit të Republikës së Maqedonisë gjithmonë veproj me përgjegjësi dhe të drejtat e mia dhe detyrimet i kryej brenda kornizave të Kushtetutës, ligjeve dhe interesave të Maqedonisë, thuhet në njoftimin me shkrim të presidencës dërguar kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferri. Në njoftimin e Presidencës numërohen pesë arsye përse presidenti Ivanov refuzon ta nënshkruajë ratifikimin e Ligjit për Marrëveshjen me Greqinë. Në arsyetimin e presidentit thuhet se marrëveshja është antikushtetuese dhe se çdo zyrtarizim, sipas kreut të shtetit, paraqet vepër penale.

“Nuk pranoj ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim ndryshimin e emrit kushtetues. Nuk pranoj ide apo propozime që do të rrezikonin identitetin nacional maqedonas, veçoritë e kombit maqedonas, gjuhën maqedone dhe modelin maqedonas për bashkëjetesë”, thuhet në komunikatën e presidentit Gjorge Ivanov. Sipas tij, Marrëveshja për emrin është në kundërshtim edhe me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pasi në to, sipas Ivanovit, flitet për “dallime rreth emrit të shtetit dhe jo për dallime siç flitet në këtë marrëveshje”.

Presidenti Ivanov vlerëson se marrëveshja e sjell Maqedoninë në pozitën e shtetit të nënshtruar dhe të varur nga një shtet tjetër, përkatësisht nga Republika e Greqisë.

Veritas.com.al/